Gjatë orëve të fundit, Rusia ka ndërmarrë një valë të re sulmesh ajrore me dronë në disa pjesë të Ukrainës, sipas njoftimeve të autoriteteve ukrainase.
Të dhënat zyrtare bëjnë të ditur se në total u lëshuan 133 dronë rusë, ndërsa mbrojtja ajrore ukrainase arriti të interceptonte 111 prej tyre.
Të lidhura
None found
Rreziku i përditshëm me të cilin përballen qytetarët u dëshmua edhe në Kiev. Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale shihet një dron rus Geran-2, i përfshirë nga flakët pasi u godit nga mbrojtja ajrore, teksa rrëzohet në mes të një rruge ku po lëviznin automjete.
Një sulm tjetër me pasoja tragjike ndodhi në rajonin e Odessa-s, ku një dron rus Shahed goditi motorin e një treni pasagjerësh.
Nga goditja humbën jetën makinisti dhe ndihmësi i tij. Në tren ndodheshin 340 pasagjerë dhe mjeti po i afrohej një stacioni, ku ishte parashikuar zbritja e udhëtarëve pasi ishte identifikuar kërcënimi nga një dron.
Autoritetet sqaruan se ekuipazhi i lokomotivës po tentonte ta ndalonte trenin, në mënyrë që pasagjerët të mund të largoheshin pa rrezik. Por droni ndryshoi befas drejtimin dhe goditi motorin, pa u dhënë kohë makinistëve të reagonin.
Të gjithë pasagjerët u nxorën në siguri dhe mes tyre nuk u raportua asnjë i plagosur. Më pas, ata u dërguan me autobusë drejt Odessa-s.
Ky incident ndodh ndërsa Rusia ka shtuar sulmet me dronë në disa rajone të Ukrainës, duke kërcënuar jo vetëm objektivat ushtarake dhe infrastrukturën, por edhe transportin civil dhe jetën e qytetarëve.
