Operacioni për shuarjen e zjarrit në masivin pyjor të Lurës po vazhdon prej më shumë se 24 orësh. Në terren raportohet se janë angazhuar rreth 260 forca, përfshirë punonjës të Bashkisë Dibër, Emergjencat Civile, shërbimet zjarrfikëse, forcat e Ushtrisë dhe Policinë.
Sipas drejtorit të Administratës së Zonave të Mbrojtura në Dibër, Leonard Topuzi, prej më shumë se 24 orësh po punohet me një numër të madh forcash për ta vënë zjarrin nën kontroll. Megjithatë, ndërhyrja e zjarrfikësve dhe e mjeteve pengohet nga terreni i thyer malor.
Të lidhura
None found
Operacionit i janë bashkuar edhe dy helikopterë, të cilët po veprojnë nga ajri për shuarjen e vatrave të zjarrit.
Puna në terren ka vijuar pa ndërprerje edhe gjatë natës. Topuzi bëri të ditur se, në bashkëpunim me punonjësit e Bashkisë Dibër dhe kryetarin e bashkisë, Rahim Spahiu, u arrit të mbroheshin 5 banesa dhe 2 stane blegtorale, ku ndodheshin rreth 400 krerë bagëti të imta.
Forcat e angazhuara po vijojnë përpjekjet për izolimin e vatrave, shuarjen e zjarrit dhe pengimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
