Pas raportimeve në media dhe deklaratave publike të 11 gushtit, Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar ndaj disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Procedura lidhet me pretendimet e qytetarit me inicialet N. R. për tejkalim të autorizimeve policore.
Të lidhura
None found
Hetimi paraprak synon të verifikojë këto pretendime dhe të qartësojë faktet e rrethanat relevante rreth veprimeve të policisë gjatë një operacioni të zhvilluar në Dren të Zubin-Potokut.
Në këtë fazë, pa paragjykuar përfundimin e hetimeve, IPK-ja do të grumbullojë dhe analizojë të gjitha informacionet dhe provat që janë në dispozicion, në pajtim me mandatin e saj ligjor.
Brenda kompetencave të veta, Inspektorati Policor i Kosovës do të kryejë të gjitha procedurat dhe veprimet e domosdoshme hetimore. Këtu përfshihen bashkëpunimi me institucionet përkatëse, sigurimi i dokumentacionit dhe të dhënave zyrtare, si dhe intervistimi i personave që mund të kenë njohuri për incidentin.
IPK-ja thekson se çdo ankesë ose informacion që lidhet me pretendime për sjelljen e zyrtarëve policorë shqyrtohet me seriozitetin më të lartë.
