Deklarata e fundit e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se autoritetet serbe po analizojnë mundësinë për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër dhe se për këtë çështje janë angazhuar ekspertë, ka nxitur shqetësim të thellë te Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH).
Në reagimin zyrtar, KASH vlerëson si tejet alarmues përdorimin në një kontekst politik të një çështjeje që prek drejtpërdrejt burimet ujore, sigurinë energjetike dhe mirëqenien e qytetarëve, duke e kthyer atë në një mjet të mundshëm presioni ndaj Republikës së Kosovës.
Të lidhura
None found
Sipas Këshillit, lumi Ibër dhe sistemi i Ujmanit, i njohur edhe si Gazivoda, kanë rol vendimtar në furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë, ekonominë dhe jetesën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.
KASH paralajmëron se një ndërhyrje e njëanshme, e cila do të ndryshonte rrjedhën natyrore të lumit dhe do të sillte pasoja ndërkufitare, do të përbënte një veprim të papërgjegjshëm dhe në kundërshtim me parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare.
Në deklaratë rikujtohet se kuadri ndërkombëtar për ujërat ndërkufitare mbështetet te shfrytëzimi i drejtë dhe i arsyeshëm i burimeve të përbashkëta. Ai parashikon gjithashtu detyrimin e shteteve për të shmangur dëmtimin e palëve të tjera, përmes bashkëpunimit, njoftimit dhe konsultimit paraprak.
Për këtë qëndrim, KASH i referohet Konventës së OKB-së të vitit 1997 mbi të Drejtën e Përdorimeve Jo-Lundruese të Rrjedhave Ujore Ndërkombëtare, si edhe Konventës së UNECE-së të vitit 1992. Këshilli thekson se projekte me pasoja të rënda ekonomike dhe mjedisore nuk mund të konsiderohen në asnjë mënyrë vetëm si çështje të brendshme të Serbisë.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i kërkon Presidentit Vuçiç dhe institucioneve serbe të heqin dorë e të distancohen nga çdo plan ose veprim i njëanshëm që mund të vërë në rrezik sigurinë ujore dhe qëndrueshmërinë e rajonit.
Njëkohësisht, KASH u drejtohet Uashingtonit, Brukselit, OSBE-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë që ta shqyrtojnë situatën me seriozitet maksimal. Sipas tij, Beogradit duhet t’i kërkohen transparencë dhe shpjegime zyrtare për ekzistencën e çdo projekti që synon devijimin e lumit Ibër, pasi uji duhet të jetë faktor bashkimi dhe jo armë politike.
Reagimi i plotë:
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) deklaron se është thellësisht i shqetësuar nga qëndrimi i fundit i Presidentit serb, Aleksandar Vučić, sipas të cilit institucionet e Serbisë kanë angazhuar ekspertë dhe po shqyrtojnë mundësinë që rrjedha e lumit Ibër të ndryshohet.
Për KASH-in, është veçanërisht shqetësues fakti që burimet ujore, siguria e energjisë dhe mirëqenia e qytetarëve vendosen në një kuadër politik dhe paraqiten si një instrument i mundshëm për ushtrimin e presionit ndaj Republikës së Kosovës.
Furnizimi me ujë, prodhimi energjetik, ekonomia dhe jeta e qytetarëve të Kosovës, pa asnjë dallim etnik, varen në mënyrë jetike nga lumi Ibër dhe sistemi Ujman/Gazivodë. Për këtë arsye, çdo ndërhyrje e njëanshme që mund të cenojë rrjedhën natyrore të lumit dhe të sjellë pasoja të konsiderueshme përtej kufijve duhet të trajtohet me përgjegjësinë më të lartë dhe në respekt të plotë të së drejtës ndërkombëtare.
KASH vë në dukje se rregullat ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare ndërtohen mbi disa parime kryesore. Mes tyre janë përdorimi i arsyeshëm dhe i drejtë i burimeve ujore të përbashkëta, detyrimi i shteteve për të ndërmarrë çdo masë të përshtatshme për parandalimin e dëmit të konsiderueshëm ndaj palëve të tjera, bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit, si dhe njoftimi e konsultimi paraprak për masat e planifikuara që mund të prodhojnë efekte të rëndësishme ndërkufitare. Në këto parime përfshihen gjithashtu mbrojtja e ekosistemeve dhe shfrytëzimi i qëndrueshëm i burimeve ujore.
Këto standarde janë përfshirë, ndër të tjera, në Konventën e Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 mbi të Drejtën e Përdorimeve Jo-Lundruese të Rrjedhave Ujore Ndërkombëtare. Ato pasqyrohen po ashtu në Konventën e UNECE-së të vitit 1992 për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Rrjedhave Ujore Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare, pjesë e kuadrit ndërkombëtar që synon administrimin paqësor dhe të qëndrueshëm të burimeve të përbashkëta ujore.
Nisur nga këto parime, një projekt për ndryshimin e rrjedhës së një lumi ndërkufitar, i cili mund të ndikojë rëndë te uji i pijshëm, energjia, mjedisi dhe veprimtaria ekonomike e një territori tjetër, nuk mund të cilësohet thjesht si çështje e brendshme. Një nismë e tillë kërkon transparencë, analizë të plotë të pasojave ndërkufitare, njoftim dhe konsultim, si edhe bashkëpunim me palët që mund të preken, në përputhje me normat dhe parimet përkatëse të së drejtës ndërkombëtare.
Për KASH-in, shndërrimi i ujit ose i burimeve të tjera jetike në mjete presioni politik është i papranueshëm. Një gjuhë e tillë bie ndesh me bashkëpunimin rajonal, fqinjësinë e mirë dhe parimet mbi të cilat duhet të mbështetet perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor.
KASH i kërkon Presidentit Vučić dhe institucioneve të Republikës së Serbisë të distancohen nga çdo nismë apo veprim i njëanshëm që mund të dëmtojë sigurinë ujore, energjetike, ekonomike dhe mjedisore të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj.
Po ashtu, Këshilli u kërkon Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, OSBE-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë që ta marrin seriozisht këtë deklaratë dhe t’u kërkojnë autoriteteve të Beogradit sqarime e transparencë për çdo projekt konkret që mund të ekzistojë për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë nënvizon sërish se uji është një pasuri jetike, e cila duhet t’i afrojë popujt dhe jo t’i ndajë ata. Paqja dhe stabiliteti afatgjatë në rajon nuk mund të arrihen përmes kërcënimeve ose shfrytëzimit të burimeve natyrore si mjete presioni, por vetëm nëpërmjet dialogut, bashkëpunimit, respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial, si edhe zbatimit të së drejtës ndërkombëtare.
