Vrau kushëririn pas sherrit për tokën, flet Kastriot Hasalla: Nuk kam besim te policia, mbaj përgjegjësi deri në fund (VIDEO)

Kastriot Hasalla, 33-vjeçari që qëlloi në drejtim të kushëririt të tij Romeo Hasallës duke e lënë të vdekur pas një konfliktit për tokën, ka pranuar krimin e rëndë, pasi u dorëzua ditën e sotme në policinë e Lushnjes.

Dy ditë pasi policia e kërkonte për vrasjen e 30-vjeçarit, ai vendosi të dorëzohej përmes avokatit të tij, pasi është shprehur se nuk ka besim te policia. Në një intervistë me gazetaren e TvKlan, Anila Sefën, Hasalla ka pretenduar se ka qenë ai që ka qëlluar vetë me armë dhe ka vrarë të riun si dhe ka plagosur vëllezërit dhe babain e viktimës dhe vëllai dhe djali i tij, të cilët ndodhen në burg, duhet të lirohen pasi janë të pafajshëm. Lidhur me vetëdorëzimi në polici ka folur edhe avokati i tij, Ilir Dervishi, i cili tha se Hasalla e ka kryer krimin në kushtet e tronditjes së thellë psikologjike pasi jeta e djalit të tij është ërcënuar nga pala tjetër me armë.

Intervista me Kastriot Hasallën:

GazetarjaKush jeni ju?

Kastriot HasallaUnë quhem Kastriot Hasalla.

GazetarjaJu jeni autori që kryet vrasjen?

Kastriot HasallaPo! Unë them vetëm drejtësinë dhe si ka ndodhur do t’i tregoj më tutje.

Gazetarja: A keni qëlluar ju me armë?

Kastriot HasallaPo unë kam qëlluar.

GazetarjaPse u dorëzuat te avokati dhe jo te policia?

Kastriot HasallaNë polici nuk kisha besim, se nuk ka drejtësi. Për çfarë kam bërë mbaj përgjegjësi deri në fund. Çuni duhet të lirohet me gjithë vëllain se nuk ka përgjegjësi fare. Unë kam qëlluar, mbaj përgjegjësi deri në fund. Mjetet e mia duhet të lirohen, se nuk e kanë bërë mjetet krimin.

Dëshmia e avokatit:

Unë jam avokati Ilir Dervishi që përfaqësoj klientin tim. E rëndësishme është që klienti me vullnetin e tij të lirë po shkon të dorëzohet pranë organeve të drejtësisë. Ka dashur të dorëzohet që ditën e parë, por nuk e di arsyen pasi 50 minuta kemi që kemi kontaktuar bashkë. Kemi kontaktuar shefin e komisariatit, prokurorin e çështjes, drejtuesin e Prokurorisë së Lushnjes, për veprimin e klientit tim, por meqë jam përballë jush, edhe në emër të klientit tim dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetës së viktimës, por edhe shërim sa më të shpejtë të të plagosurve. Kjo është një ngjarje e rëndë, por edhe një ngjarje që nuk ka patur rrethana të tjera përveç atyre rastësore, që nuk ka pasur paramendim, por ka ndodhur në kushtet e tronditjes së thellë psikologjike të klientit tim dhe duke parë jetën e djalit që rrezikohej nga kërcënimi me armë i palës tjetër.

Ditën e sotme në Gjykatën e Lushnjes u dhanë masat e sigurisë për të arrestuarit. Gjykata dha masën e arrestit me burg për Afrim dhe Marjo Hasallën, të cilët akuzohen për ngjarjen e rëndë. Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e 29 Korrikut në Garunjas të Lushnjes. Autorët e dyshuar të ngjarjes u përplasën me viktimën, vëllezërit e tij dhe babain e tyre. Romeo Hasalla kishte vetëm dy ditë që kishte ardhur nga Greqia dhe ishte baba i dy fëmijëve. Familjet ishin në konflikt të vjetër për pronën teksa rezulton se viktima me autorët ishin kushërinj të largët.


Shtuar 31.07.2021 16:51