Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, ka bërë publike ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, të cilat kanë hyrë në fuqi më 7 gusht 2026. Sipas tij, masat e reja synojnë rritjen e sigurisë në qarkullim, ndërgjegjësimin e drejtuesve dhe uljen e numrit të aksidenteve.
Një prej risive parashikon shtyrjen e së drejtës për t’u pajisur me leje drejtimi deri në 1 vit për personat që kapen duke drejtuar automjete pa patentë. Kur shkelja kryhet nga të mitur, kjo periudhë zgjatet deri në 2 vjet.
Të lidhura
None found
Për drejtuesit që rezultojnë me më shumë se 0,5 gram për litër alkool në gjak dhe që janë ndëshkuar më herët për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur, leja e drejtimit hiqet përgjithmonë.
Vatoci tha se ky ndryshim lidhet me nevojën për të frenuar aksidentet me pasoja të rënda që shkaktohen nga drejtimi i automjeteve nën efektin e alkoolit.
Ndryshimet e miratuara përmes Ligjit nr. 58/2026 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë” përfshijnë edhe masa më të ashpra ndaj sjelljeve të rrezikshme në rrugë.
Për drejtuesit që nuk përshtatin shpejtësinë në rrugë me fushëpamje të kufizuar, kryejnë manovra agresive, ndërrojnë shpesh korsinë pa sinjalizim ose kryejnë shkelje që rrezikojnë përdoruesit e tjerë të rrugës, në zona urbane, pranë shkollave, kryqëzimeve apo degëzimeve, masa administrative është rritur nga 20 000 deri në 60 000 lekë.
Sipas Policisë Rrugore, përcaktimi i sanksionit merr në konsideratë vendin ku ndodh shkelja dhe qartëson elementet e anës objektive të saj.
Rritja e masës është vlerësuar e arsyeshme për shkak të rrezikut të lartë që paraqesin këto veprime dhe shtimit të ngjarjeve rrugore në zonat urbane.
Përdorimi i telefonit celular gjatë drejtimit tashmë sanksionohet edhe për drejtuesit e biçikletave, motomjeteve deri në 50 cc dhe monopatinave me motor.
Gjithashtu, leja e drejtimit pezullohet kur një drejtues është ndëshkuar dy herë brenda të njëjtit vit për përdorim të telefonit celular. Më parë, pezullimi zbatohej pas tre shkeljesh.
Policia e konsideron përdorimin e telefonit gjatë drejtimit një ndër shkaqet kryesore të humbjes së kontrollit mbi mjetin dhe, rrjedhimisht, të aksidenteve rrugore.
Rregulla të posaçme janë përcaktuar edhe për drejtuesit e rinj, të cilët e kanë marrë lejen e drejtimit gjatë 24 muajve të fundit. Për këtë kategori parashikohen masa specifike lidhur me drejtimin nën ndikimin e alkoolit dhe kufizime të veçanta të shpejtësisë.
Një tjetër ndryshim heq mundësinë e konvertimit të pezullimit të lejes së drejtimit, të lëshuar nga shteti shqiptar, përmes pagesës së një shume sa dyfishi i masës administrative maksimale të parashikuar për shkeljen.
Para datës 7 gusht, drejtuesit e evidentuar për shkelje të Kodit Rrugor, ndaj të cilëve përveç gjobës parashikohej edhe pezullimi i lejes së drejtimit, mund të paguanin dyfishin e vlerës maksimale të gjobës për të shmangur masën plotësuese. Me ndryshimet e reja, kjo mundësi është hequr dhe leja e drejtimit pezullohet automatikisht.
Ndryshimet kryesore, të cilat kanë hyrë në fuqi më 07.08.2026, u bëjnë të ditur se personat e kapur pa leje drejtimi do ta kenë të shtyrë të drejtën për t’u pajisur me patentë deri në 1 vit, ndërsa për të miturit deri në 2 vjet. Për çdo rast, shërbimet e Policisë Rrugore në Policinë e Shtetit do të informojnë DSHTRR-në, si institucionin përgjegjës për lëshimin e lejeve të drejtimit, në mënyrë që personat e konstatuar të regjistrohen në sistem dhe të ndiqen procedurat përkatëse.
Strukturat e Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë informuar për ndryshimet e fundit dhe janë udhëzuar që t’i zbatojnë ato në mënyrë korrekte.
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje drejtuesve të mos tejkalojnë shpejtësinë e lejuar, të mos drejtojnë automjete apo motomjete nën efektin e alkoolit dhe veçanërisht në gjendje të dehur, të mos përdorin telefonin gjatë drejtimit, si dhe të shmangin parakalimet e ndaluara dhe manovrat e rrezikshme ose agresive.
Apeli vjen edhe në kushtet e numrit të lartë të shkeljeve të evidentuara nga mjetet inteligjente dhe të forcimit të masave në funksion të mbrojtjes së jetës.
Sipas Policisë, ndëshkimi nuk përbën objektivin kryesor. Synimi është parandalimi i shkeljeve, shmangia e aksidenteve dhe mbrojtja e jetës.
Çdo drejtues mjeti duhet të sillet me përgjegjshmëri gjatë gjithë kohës që ndodhet në timon dhe të respektojë rregullat e qarkullimit rrugor.
Siguria në rrugë kërkon angazhimin e të gjithëve. Kontributi i çdo përdoruesi të rrugës ndihmon në krijimin e një qarkullimi më të sigurt dhe në shpëtimin e jetëve.
