Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MUP) ka njoftuar N1 se nuk disponon asnjë dokument me të dhëna lidhur me hetimin e televizionit nëse punonjës policie janë angazhuar për sigurinë e biznesmenëve kontroversë Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq.
Të lidhura
None found
Për shkak të interesit të qartë publik, N1 iu drejtua Ministrisë së Brendshme me një kërkesë për qasje në informacione me rëndësi publike. Ndër të tjera, televizioni kërkoi të dinte nëse policë ishin caktuar për mbrojtjen e Veselinoviqit dhe Radoiçiqit, si dhe, në rast se kjo konfirmohej, një kopje të aktit që autorizonte angazhimin dhe bazën ligjore për ofrimin e sigurisë ndaj tyre.
Në përgjigjen ndaj kësaj kërkese, N1 u informua se “Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka një dokument që përmban informacionin e kërkuar”. Deri tani, ky institucion as nuk i ka hedhur poshtë publikisht informacionet dhe as nuk ka dhënë një sqarim zyrtar për to.
Në fund të qershorit, Televizioni N1 kishte siguruar të dhëna se Damnjan Vukiçeviq, pjesëtar i njësisë së Xhandarmërisë së Beogradit, punonte në veri të Kosovës si roje private e Milan Radoiçiqit dhe, herë pas here, kujdesej edhe për sigurinë e familjarëve të tij. Radoiçiq ndodhet në listën e kuqe të personave të kërkuar nga Interpoli, nën dyshimet për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin e armatosur në Banjska.
Sipas informacioneve të tjera të marra nga N1, Nikola Milutinoviq, gjithashtu pjesëtar i detashmentit të Xhandarmërisë së Beogradit, shërben si roje sigurie në objektet që Zvonko Veselinoviq zotëron në Golija. Veselinoviq është nën sanksionet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.
Në fillim të korrikut, N1 raportoi gjithashtu se në ekipin e sigurisë së Veselinoviqit bënte pjesë edhe Neđeljko Gole, pjesëtar aktiv i SAJ-it dhe udhëheqës i snajperëve.
Çështja e angazhimit të efektivëve për mbrojtjen e manjatëve ose kriminelëve ishte përmendur më herët edhe nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç. Pas arrestimit të shefit të policisë së Beogradit, Veselin Miliç, i akuzuar se nuk kishte raportuar një vrasje të ndodhur më 12 maj në një restorant në Senjak, Vuçiç paralajmëroi se çdo polic apo ushtar që kryente detyra të tilla do të largohej nga shërbimi.
“Ligji është i qartë, kujt i pëlqen i pëlqen, kujt nuk i pëlqen, mund të ndahemi bukur. Ti punon për këta dhe ata njerëz, por nuk mund të jesh më në organet shtetërore”, deklaroi Aleksandar Vuçiç më 20 maj të këtij viti, sipas N1.
Më shumë se një muaj më vonë, i pyetur për zbulimet e N1 mbi xhandarët që ofronin mbrojtje për Veslinoviq dhe Radoiçiq, Vuçiç u përgjigj se “ata nuk ofrojnë siguri”. Nga përgjigjja e tij mund të kuptohej gjithashtu se, të paktën, nuk e ofronin më një siguri të tillë.
