Minishengeni ballkanik, Basha: Takimet e shpeshta nuk prodhojnë asgjë përveç fotove!

Kryedemokrati Lulzim Basha ka komentuar takimin dhe marrëveshjet e arritura gjatë Forumit Rajonal Ekonomik të liderëve politikë të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë ditën e sotme.

Në një deklaratë për mediat, ai tha se këto takime po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe nuk prodhojnë asgjë të re përveç fotove.

Sipas Bashës, që lëvizja e lirë në rajon të realizohet, hapi i parë duhet të jetë njohja e ndërsjelltë e Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj që takimet po bëhen kaq shpesh, nuk e di se çfarë po prodhojnë, përveç fotove. Që lëvizja e lirë në rajon të funksionojë duhet të punohet për eliminimin e kërcënimit të fundit për stabilitetin në rajon, njohjen e ndërsjelltë të Kosovës dhe Shqipërisë. Lëvizja e lirë është një synim ku janë të përfshira vendet e Ballkanit Perëndimor. Që kanë dëshirë për të dalë në këto ditë të nxehta për të bërë fotografi nuk është një çudi e madhe për mua. Është një film i stërparë por po kthehet në një alibi për ngecjen në vend. Partia Demokratike e mbështet dialogun por nuk kemi lënë asnjë dilemë për përfundimin e këtij dialogu. Ne jemi të lumtur që SHBA dhe BE janë të qartë përsa i përket këtij objektivi. Dua të theksoj se asnjë takim nuk duhet të shërbejë si alibi për të ikur detyrimeve kushtetuese që ka çdo kryeministër shqiptar për tu kujdesur për fatin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Fati i tyre i keq është çregjistrimi i shqiptarëve nga vendi i tyre. Nuk e di sa kohë i ka kushtuar Edi Rama kur flet me mikun e tij Vuçiç, dhe nëse shpenzon kohë, e ka mbajtur të fshehur” – u shpreh Basha.


Shtuar 29.07.2021 16:35