Gjatë mbledhjes së sotme, Edi Rama u përcolli drejtuesve socialistë një mesazh të drejtpërdrejtë lidhur me zgjedhjet e ardhshme dhe mënyrën se si PS-ja duhet të veprojë për t’i fituar ato.
Sipas tij, në të kaluarën “makineria elektorale e PS” siguronte fitore duke nxitur mirënjohjen e qytetarëve për punët e realizuara. Megjithatë, tashmë ajo duhet të pësojë një transformim dhe t’i përshtatet asaj që Rama e cilësoi si epoka e pritshmërive.
Të lidhura
None found
Rama deklaroi se drejtuesit politikë të pranishëm, krerët e komisioneve parlamentare, grupi parlamentar, kabineti qeveritar, kryebashkiakët dhe i gjithë lidershipi i partisë në territor duhet që, duke nisur nga sot, të veprojnë çdo ditë me ndjenjën e përparësisë.
Ai theksoi se, gjatë epokës së mungesave, makineria elektorale socialiste fitonte falë mobilizimit të mirënjohjes për gjithçka ishte bërë. Ndërsa në epokën e pritshmërive, sipas tij, kërkohet një transformim jetik, pasi mirënjohja nuk përbën më një element vendimtar dhe përballja me realitetin e ri të pritshmërive sapo ka nisur.
Kreu i qeverisë u shpreh se skena që po merr formë sot është krejtësisht ndryshe për shkak të të gjithë faktorëve që kishte përmendur. Për këtë arsye, ai tha se detyra e socialistëve nuk është ta mbrojnë makinerinë nga çfarë ndodhet përreth ose jashtë saj, por ta shpëtojnë atë nga vetvetja.
Në këtë frymë, Rama bëri të ditur se kishte hartuar dokumentin e vendosur përpara pjesëmarrësve në mbledhje, duke e lënë plotësisht të hapur për vërejtjet dhe shënimet e secilit prej tyre.
Ai e përkufizoi empatinë si një angazhim për ndërveprim dhe jo si shenjë dobësie, duke e cilësuar atë një forcë që nuk mund të prodhohet nga asnjë algoritëm. Sipas Ramës, qytetari që i hap dikujt derën për t’i treguar hallin e vet i ka dhënë diçka edhe më të vlefshme se vota: besimin, duke i lënë në dorë njëkohësisht edhe dinjitetin.
Rama nënvizoi se halli i një personi nuk duhet trajtuar si monedhë në kursin e këmbimit politik. Ai kërkoi që partia të dëgjojë me solidaritet, pa pyetur se me kë është dikush, me kë ka qenë, çfarë ka bërë më parë, cilin kah politik parapëlqen apo si do të votojë.
Në përfundim, ai paralajmëroi se një derë që hapet vetëm për njerëzit e PS-së përfundon duke u mbyllur për të gjithë Partinë Socialiste. Për këtë arsye, kreu i qeverisë kërkoi që mungesa e përgjigjes të shpallet e ndaluar brenda PS-së.
