Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, u takua sot me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, Özlem Canel.
Të lidhura
None found
Sipas BDI-së, biseda u përqendrua te nevoja që vendi të rikthehet sa më shpejt në drejtimin që mundëson vijimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ahmeti vlerësoi se zvarritja e mëtejshme e integrimit e largon vendin nga e ardhmja evropiane, dobëson institucionet dhe shton pasigurinë në rrafshin politik, ekonomik dhe shoqëror.
Një tjetër çështje e ngritur prej tij ishte shqetësimi serioz për goditjet e vazhdueshme ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe arritjeve që sigurojnë barazinë, kohezionin ndëretnik dhe stabilitetin e vendit.
Kreu i BDI-së deklaroi se kjo marrëveshje përbën bazën e paqes dhe të funksionimit demokratik të shtetit, duke paralajmëruar se cenimi i saj ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin e përgjithshëm dhe në raportet ndëretnike.
Në takim u trajtuan gjithashtu zhvillimet e fundit politike, sundimi i ligjit, çështjet e sigurisë dhe sfidat me të cilat përballet rajoni. Ahmeti theksoi se partnerët ndërkombëtarë duhet ta dëgjojnë qartë alarmin për situatën në vend.
“Integrimi evropian dhe Marrëveshja e Ohrit përbëjnë dy bazat ku mbështeten demokracia, qëndrueshmëria dhe e ardhmja e vendit”, deklaroi Ahmeti.
