Paolo Maldini dhe Leonardo kanë vendosur të japin dorëheqjen nga detyrat e tyre në Federatën Italiane të Futbollit (FIGC), vetëm pak javë pasi morën postet. Sipas Sky Sport Italia, vendimi lidhet me përplasjet e forta për përzgjedhjen e trajnerit të ri të Kombëtares së Italisë.
Të lidhura
None found
Të dy ishin emëruar më 11 korrik, pas disa javësh bisedimesh me drejtuesit e federatës mbi projektin për reformimin e futbollit italian.
Roli i drejtorit teknik të projektit Club Italia ishte ngritur nga presidenti i ri i FIGC-së, Giovanni Malagò. Qëllimi ishte që ekipit kombëtar t’i jepej më shumë pavarësi dhe të ndërtohej një organizim i ri.
Maldini dhe Leonardo ishin ngarkuar me krijimin e një identiteti të ri për futbollin italian, përmes bashkërendimit të punës ndërmjet kombëtareve të grupmoshave dhe akademive të të rinjve.
Vështirësitë për projektin nisën që në fazën e parë. Carlo Ancelotti dhe Pep Guardiola, të cilët përbënin objektivat kryesorë për pankinën e Italisë, nuk i pranuan ofertat për të drejtuar kombëtaren.
Më pas, Andrea Pirlo u shfaq si alternativa e radhës, por kandidatura e tij u hodh poshtë pasi u bë e ditur se ai mban rolin e ambasadorit global të kompanisë ruse të basteve Fonbet.
Kjo lidhje ngriti pikëpyetje etike dhe morale, si dhe pengesa ligjore, sepse në Itali ndalohet reklamimi i kompanive të basteve të këtij lloji.
Raportimet bëjnë të ditur se Giovanni Malagò e pengoi emërimin e Pirlos në krye të Italisë, edhe pse kandidatura e tij mbështetej nga Maldini dhe Leonardo.
Përplasjet mes palëve u përshkallëzuan më tej për shkak të mungesës së dakordësisë mbi emrin që duhej të merrte drejtimin e kombëtares, duke sjellë edhe prishjen e marrëdhënieve.
Për këtë arsye, Maldini dhe Leonardo kanë zgjedhur të lënë postet e tyre, ndërsa Sky Sport Italia raporton se komunikimi zyrtar pritet të bëhet publik gjatë mbrëmjes.
Kështu, mosmarrëveshjet për trajnerin e ardhshëm të Italisë po i japin fund angazhimit të tyre në FIGC vetëm 16 ditë pas emërimit dhe shumë më herët nga sa ishte parashikuar.
