BDI-ja ka drejtuar akuza ndaj VLEN-it, duke pretenduar se kjo e fundit, në mungesë të argumenteve për të arsyetuar dështimet e veta, i është kthyer shpifjeve dhe sulmeve politike kundër BDI-së.
Të lidhura
None found
Sipas BDI-së, ministri Goran Minçev ka deklaruar vetë se Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat mund të miratohet edhe përmes “Badenterit të vogël”, ndërsa Izet Mexhiti është detyruar t’i kërkojë opozitës shqiptare mbështetje për këtë ligj. Kjo parti vlerëson se këto zhvillime dëshmojnë qartë se VLEN-i nuk gëzon legjitimitet etnik dhe nuk disponon votat e domosdoshme për miratimin e ligjeve që kërkojnë badenter, por mbështetet vetëm te mashtrimet dhe shpifjet.
Nga BDI-ja thonë se VLEN-i, në vend që të shpjegojë përse ligji nuk parashikon mekanizma të detyrueshëm, masa ndëshkuese dhe garanci për realizimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, synon ta largojë vëmendjen nga kjo çështje përmes akuzave politike ndaj tyre.
BDI-ja thekson se nuk do ta mbështesë me votë një ligj që e vendos përfaqësimin e drejtë në varësi të metodologjive që Qeveria do t’i përpilojë post festum. Sipas saj, mbrojtja e Marrëveshjes së Ohrit dhe e garancive kushtetuese nuk përbën bllokadë, por është përgjegjësi politike dhe kombëtare.
Në reagim thuhet gjithashtu se është ironike që ata që sot e fajësojnë BDI-në për pengim janë të njëjtët që më herët kishin premtuar një mekanizëm më të fuqishëm se Balancuesi, ndërsa tani kanë paraqitur një ligj më të dobët se ai.
BDI-ja vlerëson se VLEN-i nuk mund ta mashtrojë opinionin duke e interpretuar kundërshtimin e një ligji të mangët si goditje ndaj interesave shqiptare. Sipas partisë, këto interesa nuk garantohen përmes propagandës, por me ligje që sigurojnë garanci konkrete, siguri juridike dhe mekanizma të zbatueshëm.
