Në Ditën Përkujtimore të policëve që humbën jetën në shërbim, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe anëtarët e kabinetit qeveritar, kryen homazhe te Lapidari i policëve të rënë.
Të lidhura
None found
Haxhiu theksoi se themelet e lirisë, sigurisë dhe sovranitetit të vendit mbështeten edhe në flijimin e efektivëve që u vranë gjatë ushtrimit të detyrës.
Ajo vuri në dukje se mes 24 policëve të përkujtuar, të cilët dëshmuan besnikëri ndaj Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, figurojnë edhe emrat e Enver Zymberit dhe Afrim Bunjakut. Sipas saj, këta të fundit ranë në përpjekje për të mbrojtur tërësinë tokësore, rendin kushtetues dhe pavarësinë e shtetit.
“Sot kujtojmë se liria, siguria dhe sovraniteti i shtetit tonë u ngritën edhe mbi sakrificën e policëve të rënë në detyrë, të cilët dhanë gjithçka, edhe jetën e tyre, për Kosovën dhe qytetarët e Republikës tonë. Lavdi jetës dhe veprës së tyre! Lavdi sakrificës sublime të tyre”, përfundoi ajo.
