Përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po përshkallëzohet njëkohësisht në disa fronte, duke hyrë në një etapë edhe më të rrezikshme. Për të 12-ën natë radhazi, forcat amerikane sulmuan objektiva ushtarake iraniane, sipas njoftimit të Komandës Qendrore të SHBA-së.
Të lidhura
None found
Mediat shtetërore në Iran raportuan se raketat amerikane goditën qytetet Ramshir dhe Ahvaz, në jugperëndim të vendit, si dhe provincën bregdetare Bushehr. Tensionet janë shtrirë gjithashtu në Detin e Kuq, Gjirin Persik dhe Kuvajt.
Në Detin e Kuq u godit një cisternë nafte në pronësi të një kompanie saudite. Ky incident ndodhi pasi rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, morën përsipër sulmet kundër anijeve në këtë korridor strategjik dhe kërcënuan se do të bllokonin portet saudite në Detin e Kuq.
Dhoma Ndërkombëtare e Transportit Detar konfirmoi ndërkohë se, pas shpalljes së bllokadës detare ndaj Arabisë Saudite, rebelët Huthi kanë filluar t’u dërgojnë përmes radios paralajmërime anijeve që lundrojnë në rajon.
Edhe në Kuvajt situata mbetet e tensionuar. Ushtria e vendit bëri të ditur se sistemet e mbrojtjes ajrore ndërhynë për të rrëzuar dronë armiqësorë, pas disa ditësh sulmesh iraniane kundër Kuvajtit.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se çdo goditje ndaj infrastrukturës iraniane do të pasohet nga një përgjigje e barabartë. Presidenti amerikan Donald Trump iu kundërpërgjigj me një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Teheranit, duke thënë se, për çdo sulm kundër anijeve në Ngushticën e Hormuzit, SHBA-ja do të shkatërrojë një urë ose një central elektrik iranian.
Përshkallëzimi u reflektua menjëherë edhe në tregjet ndërkombëtare, duke e çuar çmimin e naftës në nivelet më të larta të javëve të fundit. Nafta Brent kaloi përkohësisht mbi 95 dollarë për fuçi, niveli më i lartë në pothuajse gjashtë javë, ndërsa nafta amerikane shënoi një rritje prej afro 3 për qind.
