“Kemi parë kiamet”, flasin të mbijetuarit e aksidentit tragjik në Kroaci

10 persona kanë vdekur e mbi 40 të tjerë janë lënduar nga aksidenti tragjik që ndodhi mëngjesin e sotëm në Slavonski Brod të Kroacisë. Në mesin e të vdekurve është edhe një prej shoferëve të autobusit.

Në një linje direkte për Radio Televizionin e Kosovës dy nga personat që i kanë mbijetuar këtij aksidenti kanë treguar sesi ka rrjedhur ngjarja. “Ka ndodh brenda një minute. Vetëm kemi parë se është rrëzuar autobusi. Kemi parë kiamet. Shoferët kanë qenë në gjumë. Ata janë ndërruar kohë pas kohe”, ka thënë njëri prej të mbijetuarve.

Një tjetër pasagjer i cili ishte brenda autobusit që u aksidentua, tregoi se të lënduarit janë mirë. “Autobusi ka shkuar zvarrë diku rreth 100 metra. Të lënduarit janë më mirë”, ka pohuar edhe njëri prej lënduarve.

Ministria e Jashtme në Prishtinë deklaroi zyrtarisht se nga aksidenti tragjik në Kroaci kanë humbur jetën 10 shqiptarë të Kosovës, 44 kanë marrë ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve, ndërsa 15 janë në gjendje më të rëndë për jetën.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli deklaroi se fatmirësisht mes viktimave nuk ka fëmijë. Ata ishin duke u kthyer nga Gjermania kur autobusi doli nga rruga në Kroaci. /GazetaExpress


Shtuar 25.07.2021 16:39