Vjosa Osmani, ish-presidente e Kosovës dhe aktualisht deputete e LDK-së, ka vlerësuar se komunikimi me administratën e presidentit amerikan Donald Trump duhet të jetë i vazhdueshëm, i afërt dhe të zhvillohet në nivelet më të larta politike.
Sipas saj, lidhjet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rëndësi të veçantë për lirinë, pavarësinë, demokracinë e zhvillimin e Kosovës, si dhe për përkrahjen ndërkombëtare dhe ekonominë e vendit.
Të lidhura
None found
“Mbështetja amerikane ka një histori të gjatë në raport me lirinë, pavarësinë, demokracinë dhe zhvillimin e Kosovës. Edhe sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten miku dhe partneri ynë kryesor, si dhe bashkëpunëtori ynë. Përkrahja e tyre është e madhe në arenën ndërkombëtare, ndërsa bashkëpunimi me to është i domosdoshëm edhe për ekonominë. Prandaj, komunikimi me administratën e Presidentit Trump duhet të jetë i afërt e i përditshëm dhe të zhvillohet në nivelin më të lartë të mundshëm.
Nuk e kam fjalën vetëm për kontakte me disa zyrtarë të Departamentit të Shtetit, por për komunikim të domosdoshëm me zyrtarët më të lartë politikë të kësaj administrate. Ky komunikim nuk duhet të kufizohet te ne që kemi mbajtur më herët poste, por duhet të përfshijë edhe drejtuesit aktualë të institucioneve. Ata duhet të angazhohen për këtë çështje thelbësore për suksesin dhe të ardhmen e Kosovës”, u shpreh Osmani.
E pyetur lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara, Osmani tha se vendimi i saj për mundësinë e kthimit të ligjit në Kuvend do të përcaktohet nga përmbajtja dhe arsyetimi që do të paraqesë presidentja aktuale.
“Qëndrimi im do të varet plotësisht nga përmbajtja. Rikthimi i një ligji në Kuvend, siç e dini, duhet të shoqërohet edhe me arsyetim. Në parim, mbështes të drejtën e çdo presidenti për të përdorur atë që njihet në praktikë si veto. Ne kemi shprehur shqetësime thelbësore për përmbajtjen e këtij ligji dhe nuk e kemi votuar. Tani duhet të presim nëse ligji do të kthehet vërtet dhe, nëse ndodh kjo, cilat janë shqetësimet e Presidentes së Republikës; më pas do ta shqyrtojmë përmbajtjen”, deklaroi Osmani.




