OBRM-PDUKM ka akuzuar BDI-në, LSDM-në dhe E Majtën se po e bllokojnë miratimin e Kodit të ri Zgjedhor. Sipas partisë, qëllimi i tyre është të krijojnë justifikim për një disfatë të mundshme në zgjedhje dhe më pas të pretendojnë se janë dëmtuar gjatë procesit zgjedhor.
Të lidhura
None found
Në reagimin e saj, partia thekson se tri partitë kanë bashkërenduar veprimet për të penguar një nga ligjet kyçe të Axhendës së Reformave. OBRM-PDUKM vlerëson se arsyeja qëndron te frika e tyre nga humbja, për shkak të asaj që e cilëson si mbështetje të ulët te qytetarët.
Sipas partisë në pushtet, Qeveria ka shprehur vullnet për arritjen e një marrëveshjeje të gjerë politike dhe ka paraqitur një zgjidhje në përputhje me rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare. Kjo zgjidhje, siç thuhet, parashikon edhe mundësinë që diaspora të realizojë të drejtën e votës.
Megjithatë, OBRM-PDUKM pretendon se LSDM, BDI dhe E Majta kanë zgjedhur bllokadën në vend të dakordimit. Partia shton se qeveria u ka ofruar për herë të parë subjekteve opozitare mundësinë që të bien dakord për zgjidhje që vetë i konsiderojnë të pranueshme, por kjo ofertë, sipas saj, është refuzuar.
OBRM-PDUKM nënvizon se Maqedonia renditet mes vendeve më të suksesshme në rajon për realizimin e obligimeve nga Axhenda e Reformave. Sipas saj, kjo pritet të dëshmohet edhe me fondet që vendi do të përfitojë nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian.
Partia shton se përfaqësuesit evropianë kanë kërkuar arritjen e konsensusit politik për miratimin e Kodit Zgjedhor.
