Një seri inspektimesh të thelluara nga Banka e Shqipërisë ka çuar në heqjen e 83 licencave për pikat e këmbimit valutor gjatë vitit 2025. Ky veprim erdhi pas konstatimit të një sërë shkeljesh, përfshirë evazionin në qarkullimin e parasë.
Sipas Raportit Vjetor të Mbikëqyrjes për 2025-ën, kontrollet u intensifikuan për shkak të natyrës së këtij aktiviteti, i cili operon me sasi të mëdha parash fizike dhe ka kontakt të drejtpërdrejtë me publikun. Si rezultat, u vendosën gjoba administrative ndaj 201 zyrave, njërës iu dha një paralajmërim, dhe 83 subjekteve iu hoq e drejta e ushtrimit të veprimtarisë.
Të lidhura
None found
Në të njëjtën periudhë, autoriteti mbikëqyrës licencoi edhe 33 pika të reja, duke e çuar rënien neto në 50 subjekte, ose rreth 8% më pak se në fund të vitit 2024. Ky është tkurrja e parë domethënëse pas gati një dekade rritjeje të pandërprerë, ku numri i zyrave ishte rritur nga 397 në 2015 në një kulm prej 642 subjektesh në 2024, për të rënë më pas në 592 në fund të 2025-ës.
Mangësitë kryesore të identifikuara gjatë inspektimeve lidhen me zbatimin e plotë të masave të vigjilencës së duhur dhe të zgjeruar ndaj klientëve. Në disa raste, subjektet nuk kishin sisteme të centralizuara për mbledhjen dhe analizimin e informacionit, ndërsa dokumentimi i kontrolleve kundrejt listave të sanksioneve paraqiste dobësi të theksuara.
Gjithashtu, raporti vë në dukje probleme serioze në ruajtjen e dokumentacionit dhe në procesin e analizimit të burimeve të fondeve, duke kompromentuar përpjekjet për të parandaluar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
