Flakët masive kanë mbërthyer këtë herë pyllin e njohur të Fontainebleau, që shtrihet në juglindje të kryeqytetit francez, teksa vala shkatërrimtare e zjarreve vijon të përfshijë pjesë të ndryshme të kontinentit evropian.
Të lidhura
None found
Forcat zjarrfikëse janë mobilizuar në një shkallë të paprecedentë për rajonin Ile-de-France, me autoritetet që e kanë përshkruar incidentin si një fatkeqësi me “përmasa të jashtëzakonshme”. Lëvizja e trenave në këtë zonë u pezullua dhe kolona e dendur e tymit u dallua qartë edhe në një distancë prej 20 kilometrash.
Në vijën e parë të luftës me zjarrin ndodhen rreth 400 efektivë, të cilëve u janë bashkuar edhe fermerë dhe banorë të fshatrave përreth. Këta të fundit kanë sjellë në ndihmë traktorët e tyre të pajisur me bombola uji, duke kontribuar në operacionet e shuarjes.
Të dhënat e para flasin për një dëm të rëndë: rreth 800 hektarë sipërfaqe pyjore janë përpirë nga zjarri. Ekipet e emergjencës po punojnë intensivisht për të rimarrë kontrollin e situatës dhe për të bllokuar avancimin e mëtejshëm të flakëve.
