Lumbardh Dellova është në prag të ndarjes me CSKA Sofia, teksa destinacioni i radhës për mbrojtësin e Kosovës pritet të jetë Amedspor në Turqi.
Të lidhura
None found
Raportimet bëjnë të ditur se skuadra nga Diyarbakiri ka vendosur ta paguajë klauzolën e lirimit të lojtarit, e cila është 950 mijë euro.
Klubi turk, që së fundmi siguroi ngjitjen në elitën e futbollit turk, mësohet se ka gjetur dakordim me Dellovën edhe për kushtet personale.
Futbollisti 27-vjeçar ndodhet aktualisht në Turqi dhe pritet t’u nënshtrohet vizitave mjekësore përpara se të hedhë firmën mbi kontratë. Nuk përjashtohet që transferimi të zyrtarizohet gjatë të premtes.
Dellova ishte në proces rikuperimi pas një lëndimi dhe vetëm rreth një javë më parë iu bashkua përgatitjeve të CSKA-së, megjithatë nuk pritet të ketë probleme sa u përket testeve mjekësore.
Që nga kalimi te klubi bullgar në korrik të vitit 2024, reprezentuesi i Kosovës ka regjistruar 69 paraqitje me CSKA Sofia, duke shënuar katër gola dhe duke kontribuar me dy asistime.
Nëse gjithçka mbyllet me sukses, Amedspor do ta ketë Dellovën si shqiptarin e tretë nga Kosova në ekip, pas Florent Hasanit dhe Ermal Krasniqit. Po ashtu, përflitet se edhe portieri Amir Saipi pritet t’i bashkohet klubit kurd.
Në stolin e ekipit është vendosur edhe legjenda shqiptare e futbollit, Besnik Hasi, i cili do ta udhëheqë skuadrën turke në sezonin e saj të parë në Superligë.
