Arsenali ka nisur bisedime paraprake dhe joformale për zgjatjen e kontratës së Martin Odegaard. Mesfushori norvegjez, i cili vlerësohet nga disa prej klubeve më të mëdha të Evropës, ka marrëveshje me klubin londinez deri në verën e vitit 2028.
Emri i tij është diskutuar edhe në radhët e Bayern Munich, bën të ditur rrjeti mediatik Sky Sport. Dy palët kanë pasur kontakte disa herë gjatë viteve të fundit, por deri më tani nuk është konkretizuar asnjë transferim.
Të lidhura
None found
Interesi për këtë çështje po shtohet, ndërsa Arsenali synon të sigurojë sa më shpejt një kontratë të re për organizatorin e skuadrës. Klubi dëshiron të shmangë hyrjen e Odegaard në vitin e fundit të marrëveshjes, pasi në atë rast rrezikon ta humbasë pa dëmshpërblim në vitin 2028.
Sipas Sky Sport, nëse palët nuk bien dakord për rinovimin, Arsenali mund ta shqyrtojë më vonë shitjen e lojtarit gjatë verës së ardhshme. Ndërkohë, Odegaard ka marrë interesime nga disa klube të tjera të mëdha evropiane.
Bayern Munich nuk e sheh si të domosdoshëm një veprim të menjëhershëm. Edhe pse fillimisht lojtari shfaqi interes për të kaluar në Gjermani, ai nuk bën pjesë aktualisht në listën kryesore të objektivave të drejtuesve bavarezë.
Prej vitesh, Odegaard është ndër lojtarët kyç të Arsenalit. Nën drejtimin e Mikel Artetës, ai është shndërruar në një nga mesfushorët sulmues më të mirë në Evropë, ndërsa roli si kapiten e bën një figurë me rëndësi si në fushë, ashtu edhe në dhomën e zhveshjes.
Norvegjezi u transferua përfundimisht te Arsenali në verën e vitit 2021, pasi erdhi nga Real Madridi për rreth 35 milionë euro. Para kësaj, ai kishte kaluar gjashtë muaj në huazim te klubi londinez. Që atëherë, 27-vjeçari ka regjistruar 248 paraqitje zyrtare, 46 gola dhe 47 asistime.
Me Arsenalin, Odegaard ka fituar dy trofe të Community Shield, në sezonet 2023-2024 dhe 2026-2027. Sezonin e kaluar, ai u shpall gjithashtu kampion i Ligës Premier me skuadrën londineze.






