Paul Pogba mund të mos vazhdojë te Monaco, edhe pse ka kaluar vetëm një sezon nga momenti kur mesfushori francez nënshkroi një kontratë dyvjeçare me klubin e Ligue 1.
Të lidhura
None found
Drejtori ekzekutiv i Monacos, Thiago Scuro, ka bërë të qartë se e ardhmja e lojtarit do të përcaktohet nga ajo që ai do të tregojë gjatë përgatitjeve verore, çka mban të hapur skenarin e një largimi në këtë merkato.
33-vjeçari mbërriti te Monaco pas një faze të vështirë të karrierës së tij, në të cilën kaloi edhe një pezullim për doping. Megjithatë, rikthimi në fushë nuk rezultoi ashtu siç ishte parashikuar. Dëmtimet dhe problemet fizike bënë që ai të aktivizohej vetëm në gjashtë ndeshje, të ishte titullar vetëm një herë dhe të grumbullonte vetëm 115 minuta në total në të gjitha garat.
“Është një temë e ndërlikuar sepse kemi shumë respekt për Paulin dhe për personin që është. Që kur erdhi, ai ka qenë shumë pozitiv. Është e vërtetë që projekti nuk funksionoi siç prisnim, sepse pritshmëritë në fillim ishin ndryshe nga ajo që ndodhi”, deklaroi Scuro.
Sipas drejtuesit të klubit francez, vendimi përfundimtar do t’i takojë trajnerit të ri Filipe Luis, pasi ky i fundit të ketë vlerësuar formën fizike dhe nivelin e Pogbas gjatë fazës përgatitore.
“Duhet të jemi të drejtë me të, ta ndjekim çdo javë, të shohim si përparon fizikisht dhe teknikisht. Më pas do të jetë vendimi i trajnerit”, shtoi Scuro.
Edhe Filipe Luis ka përdorur fjalë vlerësuese për Pogban, duke e përshkruar si një “lojtar të veçantë”, ndërsa ka njoftuar se do të zhvillojë bisedime me të në ditët e ardhshme.
Pavarësisht kësaj, te Monaco nuk e kanë hequr nga tavolina mundësinë e një ndarjeje gjatë merkatos së verës.
“Do ta shohim gjatë verës se çfarë niveli do të arrijë Pogba. Ndoshta do të qëndrojë, ndoshta do të largohet”, përfundoi Scuro.
Në këtë mënyrë, gjithçka mbetet e lidhur me gjendjen fizike të kampionit të botës dhe me aftësinë e tij për të bindur stafin teknik se mund të kontribuojë ende në nivelin më të lartë.
