Në shënimin e 20-vjetorit të themelimit të Operatorit të Sistemit, Transmetimit dhe Tregut – KOSTT, kryeministri në detyrë Albin Kurti deklaroi se krijimi i këtij institucioni në vitin 2006 ishte një pikë kyçe në reformimin dhe modernizimin e sektorit energjetik në Kosovë.
Të lidhura
None found
Sipas tij, me këtë u hodhën themelet e një institucioni të pavarur, profesional dhe të besueshëm, i cili ka përgjegjësi thelbësore për sigurinë e sistemit elektroenergjetik, funksionimin e tregut të energjisë elektrike dhe integrimin e sistemit të Kosovës në ato rajonale dhe evropiane.
Kurti theksoi se sot, pas 20 vjetësh, KOSTT-i mund të konsiderohet një prej tregimeve të suksesshme të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.
Ai shtoi më tej se në vitin 2020, hyrja në fuqi e Marrëveshjes së re të Kyçjes me ENTSO-E dhe nisja e operimit të KOSTT-it si zonë e pavarur rregulluese, si dhe vetëm dy muaj më vonë edhe në kuadër të Bllokut Rregullues Kosovë–Shqipëri, përbënin një arritje historike për vendin.
Po ashtu, Kurti u shpreh se, në vazhdën e këtyre zhvillimeve, marrja nën kontroll operacional nga KOSTT-i e Nënstacionit Vallaç shënon një moment të rëndësishëm në konsolidimin e funksionimit unik të sistemit elektroenergjetik të Kosovës.
