Këtë të mërkurë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, ka reaguar për vendimin e Këshillit të Qarkut Shkodër, lidhur me dhënien e statusit “Dëshmori i Atdheut” për gjyqtarin e vrarë, Astrit Kalaja.
Në deklaratën e saj, shoqata u shpreh se e ka ndjekur me vëmendje këtë çështje dhe e konsideron atë një prej kërkesave të qarta dhe unanime të Konferencës së Gjyqtarëve, të zhvilluar më 9 tetor 2025.
Të lidhura
None found
Gjyqtarët e pritën pozitivisht vendimmarrjen e Këshillit të Qarkut Shkodër, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt përmbylljes së procedurës administrative për njohjen dhe dhënien e këtij statusi.
Po ashtu, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, u bëri thirrje edhe institucioneve të tjera përgjegjëse që ta finalizojnë sa më shpejt procesin e njohjes dhe dhënies së statusit “Dëshmori i Atdheut” për gjyqtarin Kalaja, i cili u vra më datë 6 tetor në krye të detyrës.
Sipas tyre, ky është trajtimi i duhur dhe i ligjshëm për çdo person që humb jetën gjatë ushtrimit të detyrës.
