Nigel Farage, kreu i Reform UK, ka bërë publike dorëheqjen e tij nga posti i deputetit, një vendim që çon në zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në zonën e Clacton.
Të lidhura
None found
Në të njëjtën kohë, ai njoftoi se do të kandidojë përsëri, duke thënë se dëshiron që gjykimin për veprimet e tij ta japin vetë qytetarët përmes votës.
Ky hap i Farage vjen ndërsa ai është nën dy hetime parlamentare, të cilat lidhen me deklarimin e përfitimeve dhe donacioneve të përfituara para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2024.
Sipas raportimeve, një prej hetimeve lidhet me dyshimet se ai nuk ka deklaruar përfitime në natyrë të dhëna nga George Cottrell, i dënuar më parë nga drejtësia. Ndërkohë, Farage po hetohet edhe për pretendimet se nuk ka raportuar një donacion prej 5 milionë paundësh nga Christopher Harborne, miliarderi i kriptomonedhave me bazë në Tajlandë.
Udhëheqësi i Reform UK ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke deklaruar se nuk ka thyer asnjë rregull dhe se gjithçka është bërë në përputhje me ligjin.
Duke shpallur largimin nga mandati, Farage theksoi se dëshiron që vendimin për të ta marrin votuesit.
“Kam menduar gjatë dhe kam vendosur sot të jap dorëheqjen si deputet për Clacton, duke shkaktuar zgjedhje të pjesshme që do të mbahen së shpejti. Kam vendosur që njerëzit e Clacton duhet të jenë ata që do të gjykojnë veprimet e mia”, deklaroi ai.
Farage e përshkroi garën që pritet të zhvillohet si një betejë mes “popullit dhe establishmentit”, ndërsa nënvizoi se do të kërkojë edhe një herë mbështetjen e qytetarëve. “Është një mundësi për t’i dërguar një mesazh establishmentit. Kjo është arsyeja pse po kandidoj përsëri në këto zgjedhje të pjesshme”, u shpreh lideri i Reform UK.
Zgjedhjet e pjesshme në Clacton pritet të mbahen në javët e ardhshme dhe shihen si një provë e rëndësishme politike për Farage, teksa ai përballet me hetimet parlamentare dhe synon të marrë një mandat të ri nga elektorati.
