Një nga çështjet kryesore që pritet të dominojë samitin vjetor të NATO-s në Ankara është mënyra se si vendet anëtare do të kontribuojnë financiarisht, ndërsa Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi dhe drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni.
Në kuadër të shpenzimeve për mbrojtjen euro-atlantike, në diskutim është edhe krijimi i një banke të posaçme për financimin e plotë të shpenzimeve ushtarake, një nismë e parë e këtij lloji.
Të lidhura
None found
Sipas burimeve qeveritare që ka mësuar Top Channel, Shqipëria do të nënshkruajë për t’u bërë pjesë e Defence, Security and Resilience Bank.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se kjo nismë për ngritjen e një banke shumëpalëshe ndërkombëtare do të jetë në pronësi të shteteve pjesëmarrëse dhe do të fokusohet në financimin e mbrojtjes, sigurisë dhe reziliencës strategjike.
Një numër i madh shtetesh synojnë të shtojnë investimet në mbrojtje, por përballen me kufizime në buxhet, me kosto të larta financimi dhe me vështirësi që industria e mbrojtjes has për të siguruar kredi.
DSR Bank ka si qëllim të tërheqë kapital ndërkombëtar dhe të sigurojë financim afatgjatë, garanci financiare si edhe mekanizma që ulin rrezikun e kreditimit.
Po ashtu, ajo synon të mbështesë prokurimet e përbashkëta dhe financimin e zinxhirit industrial të mbrojtjes.
Në thelb, ideja është e ngjashme me një bankë zhvillimi multilaterale, por me një mandat të veçantë për mbrojtjen, sigurinë dhe reziliencën.
Kjo nismë, ku është përfshirë edhe Shqipëria, është zhvilluar nga një grup ekspertësh të financës dhe sigurisë, mes tyre edhe ish-zyrtarë të NATO-s.
Gjatë fillimit të vitit 2026, Kanadaja mori rolin udhëheqës në bisedimet mes një grupi shtetesh për krijimin e kësaj banke.
