Në Podujevë, sonte do të organizohet një protestë e thirrur nga Shoqata “Roja e Kohës”, e cila u ka bërë ftesë qytetarëve të bashkohen në kërkesën për rritje të sigurisë.
Të lidhura
None found
Sipas Nexhat Llumnicës, anëtar i Kryesisë së kësaj shoqate, i cili foli për Klankosova.tv, tubimi vjen pas ngjarjes së fundit me të shtëna armësh në qytet, ku u plagosën katër persona, ndër ta edhe një kalimtar rasti.
Ai njoftoi se protesta është caktuar të nisë në orën 19:00, nga sheshi i Podujevës, për të vazhduar më pas me marshim deri te objekti i vjetër i Komunës së Podujevës.
Kërkesat e organizatorëve përfshijnë rishikimin dhe ashpërsimin e Ligjit për Armët, krijimin e një reparti të specializuar për parandalimin e dhunës në komunitet, më shumë investime në shërbimet e shëndetit mendor, kontrolle më të rrepta për lejet e armëve, fushata sensibilizuese për edukimin e qytetarëve, si dhe përgjegjësi institucionale për dështimet në parandalimin e dhunës.
Përmes thirrjes së tyre, organizatorët u kanë bërë apel qytetarëve që t’i bashkohen protestës në mënyrë paqësore, nën moton “Jo dhunës – Po sigurisë!”
