Bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, së bashku me deputetin Bekim Qoku, vizituan sot pikën kufitare “Bllacë”, ku bënë të ditur se të hënën do të firmoset kontrata me kompaninë që do të realizojë ndërtimin e segmentit të dytë të autostradës Shkup-Bllacë, përcjell TV21. Deri më tani, nga 12 kilometrat e kësaj autostrade, janë përfunduar vetëm 2.
Të lidhura
None found
Kasami deklaroi se një tjetër premtim po shndërrohet në realitet, duke theksuar se Shkupi dhe Prishtina po lidhen me autostradë. Sipas tij, nga e hëna, pas nënshkrimit të kontratës për kryerjen e punimeve në 10 kilometrat e mbetur nga Shkupi deri në Bllacë, do të fillojnë punët intensive që kjo arterie kryesore e korridorit Kosovë-Maqedoni e Veriut të bëhet realitet.
Ndërkaq, Mexhiti u shpreh se pas hyrjes së VLEN-it në qeveri, një nga projektet e para ka qenë One Stop Shop në “Bllacë” dhe “Jazhincë”. Ai tha se sot ndodhen në pikën kufitare të Bllacës, që sipas tij është pika më e frekuentuar në RMV. Mexhiti shtoi se rruga Shkup-Bllacë është arteria kryesore, për të cilën është folur shumë dhe ku janë bërë shumë fotografi, por shumë pak punë konkrete.
