Përmes një reagimi, LSDM pretendon se grupimi i brendshëm partiak “ZNAM 2.0” nuk është ngritur për të nxitur diskutim publik, por me synimin për ta goditur partinë nga brenda.
Të lidhura
None found
Sipas partisë, qëndrimet e shprehura nga Igor Ivanovski vërtetojnë se kjo platformë nuk është krijuar për debate mbi të ardhmen e shtetit, por për rrënimin e LSDM-së.
“Pas dështimit të ZNAM-it, Mickoski tani po tenton ta dobësojë LSDM-në përmes një projekti të ripaketuar dhe ta zhvendosë debatin publik, nga krimet e qeverisë, te çështjet e brendshme të LSDM-së”, thuhet në deklaratën e partisë.
LSDM thekson gjithashtu se “ZNAM 2.0” mbron heqjen e zgjedhjes së drejtpërdrejtë të drejtimit të partisë nga anëtarësia, gjë që, sipas saj, përbën sulm ndaj demokracisë së brendshme në parti.
“Ata i pengon demokracia në LSDM, ndaj kërkojnë të hiqet akti më i lartë demokratik – e drejta e anëtarëve për ta zgjedhur drejtpërdrejt udhëheqjen e tyre. Ata do të dëshironin që kjo të ndodhte pas dyerve të mbyllura”, thuhet më tej në reagim.
Partia shton se këto tentativa për ta dobësuar nuk do të funksionojnë dhe se, siç shprehet, do të përballet me “të gjithë satelitët e Mickoskit dhe grupit të tij të organizuar kriminal”.
