Komuna e Çairit ka dalë me reagim pas deklaratave të këshilltarëve komunalë të opozitës, duke kundërshtuar pretendimet se nuk ekziston një komision për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e fundit.
Të lidhura
None found
Sipas sqarimit të Komunës, Komisioni për vlerësimin dhe përcaktimin e lartësisë së dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera është krijuar që në muajin maj me vendim të Këshillit të Komunës, në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Në reagim theksohet se institucionet nuk presin që të ndodhin fatkeqësi për të vepruar, por ngritin paraprakisht mekanizma institucionalë për të garantuar gatishmëri dhe reagim të shpejtë.
Komuna bën të ditur se menjëherë pas reshjeve intensive, në terren kanë dalë ekipet komunale, Shtabi i Krizave, ndërmarrjet publike dhe institucionet kompetente, të cilat kanë ndërhyrë në çdo lokacion ku ka pasur nevojë.
Në të njëjtën kohë, sipas reagimit, ka filluar edhe evidentimi i dëmeve, ndërsa komisioni do të vazhdojë procedurat për vlerësimin dhe përpunimin e tyre në përputhje me metodologjinë dhe afatet e përcaktuara me ligj.
Komuna vlerëson se kërkesa e opozitës për krijimin e komisionit nuk qëndron, për shkak se ai tashmë është i formuar dhe i miratuar nga vetë Këshilli Komunal, në të cilin kanë marrë pjesë edhe këshilltarët e opozitës.
Në përmbyllje, Komuna e Çairit nënvizon se mbetet e angazhuar që çdo rast i paraqitur nga qytetarët të trajtohet me seriozitet, profesionalizëm dhe transparencë, ndërsa kompensimi i dëmeve do të bëhet sipas procedurave ligjore dhe kompetencave institucionale.
Po ashtu, ajo u bën thirrje subjekteve politike që në situata që prekin qytetarët të ndihmojnë me informim të saktë dhe konstruktiv, duke shmangur krijimin e perceptimeve të pasakta.
