Avokati i Popullit reagoi zyrtarisht këtë të shtunë për personat e ndaluar nga policia pas incidenteve të shënuara në protestën e zhvilluar para Parlamentit, duke bërë të ditur se ka ndjekur situatën që në fillim dhe ka shqyrtuar dokumentacionin për ndalimet dhe shoqërimet.
Në njoftim thuhet se institucioni ka qenë i angazhuar pa ndërprerje që nga dita e parë për monitorimin e të drejtave të protestuesve të ndaluar ose të arrestuar.
Të lidhura
None found
Po atë ditë, sipas reagimit, është administruar dhe verifikuar dokumentacioni përkatës lidhur me ndalimet dhe shoqërimet.
Avokati i Popullit sqaron se të enjten ka kontaktuar personalisht personat e arrestuar, ndërsa ekipet e institucionit kanë qenë në komisariatet 1, 2, 3 dhe 4 të Tiranës, si edhe në Spitalin e Traumës, ku janë intervistuar të ndaluarit dhe të lënduarit dhe është mbledhur informacioni i nevojshëm.
Ndërkaq, të premten, Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës ka kryer verifikime në Bllokun e Sigurisë në Tiranë, ku janë intervistuar protestuesit e ndaluar.
Deri tani, sipas njoftimit, janë administruar 10 ankesa zyrtare që lidhen me tejkalim force gjatë ndalimit ose shoqërimit nga punonjësit e policisë. Këto raste ndodhen në proces verifikimi administrativ dhe, nëse konfirmohen, do të ndiqen me të gjitha mjetet ligjore që parashikon mandati i institucionit.
Po ashtu, nga intervistat e kryera deri të premten, rezulton se asnjë nga personat e ndaluar nuk ka paraqitur ankesë për ushtrim dhune gjatë qëndrimit në Bllokun e Sigurisë.
Avokati i Popullit bën me dije gjithashtu se këtë të shtunë, pas pretendimit për dhunë ndaj një qytetari brenda ambienteve të Bllokut të Sigurisë, janë angazhuar menjëherë dy ekipe. Njëri ekip do të intervistojë qytetarin në spital, ndërsa ekipi tjetër do të kryejë verifikime në Bllokun e Sigurisë. Sipas njoftimit, gjetjet e plota do të bëhen publike pas përfundimit të verifikimeve.
