Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ka përfunduar epidemia e hantavirusit që preku pasagjerët e një anijeje turistike, gati tre muaj pasi u konstatua rasti i parë.
Të lidhura
None found
Gjatë lundrimit me MV Hondius, tre persona ndërruan jetë dhe 13 të tjerë u infektuan pasi ranë në kontakt me virusin e Andeve, një formë e rrallë e hantavirusit. Anija ishte nisur më 1 prill nga Argjentina në drejtim të Kepit të Gjelbër, përpara se të shfaqej shpërthimi.
Të enjten, OBSH njoftoi se edhe personi i fundit i klasifikuar si kontakt i afërt i një rasti të konfirmuar e ka përmbyllur karantinën dhe ka dalë negativ.
“Nga rastet e konfirmuara të shtruara në spital, tetë janë shëruar dhe janë larguar nga spitali, ndërsa dy, një në Afrikën e Jugut dhe një në Francë, mbeten ende të shtruar”, thuhet në njoftimin e OBSH-së.
Sipas të dhënave, pas 25 majit nuk është regjistruar asnjë rast i ri i lidhur me shpërthimin në anijen turistike.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi në platformën X:
Pavarësisht mbylljes së shpërthimit, OBSH theksoi se do të vijojë bashkëpunimin me qeveritë dhe partnerët për të kuptuar më qartë si arsyet e shpërthimit, ashtu edhe vetë virusin.
OBSH shprehu mirënjohje për shtetet që morën pjesë në menaxhimin e situatës, mes tyre Argjentina, Kepi i Gjelbër, Kili, Holanda, Afrika e Jugut dhe Mbretëria e Bashkuar. Falënderime mori edhe Spanja për mbështetjen në evakuimin dhe riatdhesimin e pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit në Tenerife.
MV Hondius mori autorizimin për t’u rikthyer në shërbim në mesin e qershorit.
Në një përditësim të datës 30 maj, agjencia holandeze e shëndetit publik bëri të ditur se, nga këndvështrimi shëndetësor, nuk ekzistonin më pengesa që anija të rifillonte shërbimin pas përfundimit të inspektimeve finale.
