Selia e Shenjtë ka bërë publik vendimin për përjashtimin nga Kisha të gjashtë peshkopëve të Shoqërisë së Shën Piut X (SSPX), pasi kjo lëvizje shuguroi katër peshkopë të rinj në Gjenevë pa autorizimin e Papa Leo XIV.
Në dekretin e shpallur nga Vatikani thuhet gjithashtu se edhe laikët që bashkohen zyrtarisht me këtë grup dhe përkrahin pozicionet e tij doktrinare do të konsiderohen në përçarje me Kishën Katolike, duke humbur kështu përkatësinë në bashkësinë kishtare.
Të lidhura
None found
Më pas, Vatikani sqaroi se ky vendim nuk përfshin automatikisht të gjithë besimtarët që marrin pjesë në Meshat e SSPX, por vetëm ata që angazhohen rregullisht në aktivitetet e grupit dhe identifikohen zyrtarisht me doktrinën e tij.
Po ashtu, u bë e ditur se personat që shkëputen nga Shoqëria do të pranohen sërish në Kishë.
Shoqëria e Shën Piut X u krijua në vitin 1970, si kundërshtim ndaj reformave të Këshillit të Dytë të Vatikanit.
Kjo organizatë refuzon ndryshimet liturgjike të Kishës Katolike, duke vijuar me Meshën në latinisht, me priftin të kthyer nga altari gjatë kremtimit dhe me mënyrat tradicionale të shpërndarjes së kungimit.
Po ashtu, grupi kundërshton edhe qasjen e Kishës bashkëkohore ndaj dialogut me fetë e tjera dhe mban qëndrime më konservatore për çështje shoqërore.
Sipas vlerësimeve, Shoqëria numëron rreth 600 mijë ndjekës në botë, me përqendrimin më të madh në Shtetet e Bashkuara dhe në Francë, ndërsa zhvillon Meshë edhe në 26 vende në Mbretërinë e Bashkuar.
