Ambasada e Shteteve të Bashkuara njoftoi këtë të enjte se në Tiranë po vazhdojnë çdo mbrëmje protestat përpara godinës së Kryeministrisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin mes Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza.
Në njoftim thuhet se këto tubime pritet të vijojnë edhe në ditët e ardhshme dhe se ekziston mundësia që ato të përhapen edhe në qytete të tjera të vendit. Ambasada vëren se protesta dhe grumbullime të mëdha të tilla, edhe kur nisin qetësisht, mund të marrin zhvillim të shpejtë.
Të lidhura
None found
Sipas paralajmërimit, në hapësirat ku mbahen protestat mund të ketë më shumë forca policie, rrugë të bllokuara, devijime në qarkullim dhe vështirësi në lëvizje, sidomos para nisjes dhe gjatë zhvillimit të tyre. Po ashtu, theksohet se nuk përjashtohet që protestat të shtrihen edhe në zona pranë, përfshirë institucione të tjera shtetërore.
Ambasada u kërkon qytetarëve amerikanë, por edhe publikut në tërësi, të qëndrojnë larg demonstratave, të tregojnë kujdes ndaj mjedisit përreth, të shmangin shpërqendrime si përdorimi i telefonit ose kufjeve në ambiente publike dhe të ndjekin mediat vendase për informacione të përditësuara.
Një tjetër këshillë është që qytetarët të kenë gjithnjë një plan emergjence ose daljeje dhe të lëvizin me profil të ulët në zonat ku mund të krijohen grumbullime.
