Prokuroria ka bërë të ditur se në plagosjen e ndodhur sot në Podujevë janë përfshirë daja dhe nipi, si edhe një familjar i tyre.
Rasti i rëndë po trajtohet nga Prokuroria Themelore e Prishtinës nën dyshimin për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dhënat e para të hetimit tregojnë se në këtë rast janë të përfshirë persona me lidhje familjare, konkretisht dajë dhe nip, ndërsa shkak dyshohet të ketë qenë një mosmarrëveshje e mëhershme.
Njoftimi i plotë
Prishtinë, 02 korrik 2026 – Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda njofton opinionin publik se sot, rreth orës 13:40, në sheshin ‘’Bulevardi i Dëshmorëve’’ në Komunën e Podujevës, ka ndodhur një përleshje e armatosur ndërmjet tre (3) personave. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, lëndime trupore kanë pësuar tre (3) persona të përfshirë në ngjarje, si dhe një kalimtar i rastit.
Sipas të dhënave fillestare të hetimit, dyshohet se në këtë ngjarje janë të përfshirë persona që kanë lidhje familjare (nip dhe dajë), ndërsa motivi i dyshuar i kësaj çështje lidhet me një mosmarrëveshje paraprake.
Menjëherë pasi është pranuar informata nga Policia e Kosovës, prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes dhe, në bashkëpunim me njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, janë ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Për këto veprime, të dyshuarit po hetohen për kryerjen e veprës penale ‘’Vrasja e rëndë në tentativë’’, nga neni 173 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të plagosurit nga armët e zjarrit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, po vazhdon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
