Që nga nisja e luftës në Ukrainë, humbjet ushtarake kanë kaluar shifrën e 2 milionëve, ndërsa Rusia llogaritet të ketë rreth 450 mijë të vrarë, sipas një studimi të publikuar nga Center for Strategic and International Studies (CSIS).
Të lidhura
None found
Në raport thuhet se Rusia ka pësuar afërsisht 1.4 milionë ushtarë të vrarë, të plagosur ose të zhdukur. Nga ana tjetër, humbjet e Ukrainës vlerësohen mes 525 mijë dhe 625 mijë, ku përfshihen 125-150 mijë të vrarë.
Autorët e studimit nënvizojnë se Moska po humbet personel ushtarak me një ritëm më të lartë sesa mund ta zëvendësojë. Sipas tyre, goditja më e rëndë po ndihet sidomos në zonat më të varfra dhe mes pakicave etnike.
Sipas ekspertëve, gjatë muajve të fundit situata e humbjeve është përkeqësuar ndjeshëm për Rusinë. Kjo lidhet kryesisht me përdorimin efikas të dronëve nga Ukraina, që kanë kufizuar lëvizjet e forcave ruse përgjatë vijës së frontit.
Studimi rendit edhe arsye të tjera që kanë ndikuar në humbjet e larta të Rusisë, mes tyre strategjia e konsumimit, taktikat e dobëta ushtarake, korrupsioni dhe morali i ulët i trupave.
Si Rusia, ashtu edhe Ukraina, nuk bëjnë publike shifra zyrtare për humbjet në luftë, por vlerësimet e CSIS përputhen me analizat e vendeve perëndimore.

