Gjatë seancës plenare të zhvilluar sot, deputeti i Partisë Socialiste Ardit Bido dhe deputeti i “Lëvizja Bashkë”, Redi Muçi, u përfshinë në një përballje të fortë me akuza të ndërsjella dhe tension të lartë në sallë.
Në debat, Bido u shpreh se ata janë mësuar “t’i nxjerrin lekët me djersën e ballit” dhe të punojnë, ndërsa iu drejtua Muçit duke i thënë se ai nuk ka punuar ndonjëherë, çka sipas tij shpjegon edhe habinë që shfaq. Më tej, ai deklaroi se nuk mund të thotë me siguri nëse Muçi është agjent, por shtoi se nuk do të vinte dorën në zjarr për këtë.
Të lidhura
None found
Deputeti socialist solli në vëmendje edhe një seancë të zhvilluar një javë më parë për Çamërinë, ku sipas tij Muçi mungoi, ndërsa më pas doli dhe u viktimizua duke thënë se ka kombësi greke. Bido theksoi se kjo është një zgjedhje e prindërve të tij dhe nënvizoi se nuk ka asnjë problem me minoritarët, të cilët i cilësoi si bashkëqytetarë të shëndetshëm, pasuri, shqiptarë patriotë dhe grekë të pashuar. Në fund, ai e akuzoi Muçin se nuk mund të flasë për Çamërinë, duke e quajtur apatrid dhe tradhtar.
Nga ana e tij, Redi Muçi tha se gjithçka po ndodh “me urdhër të Taulantit”, i cili sipas tij e ka vënë në shënjestër. Ai deklaroi se Bido është vënë pas tij “me bukë në trastë” dhe se sa herë ai flet për Ramën, i nxjerrin përpara këto harta.
Muçi ironizoi më tej duke thënë: “Pse qeshe kur u kollit shoku Enver?”, ndërsa shtoi se kjo është ajo që Bido po përpiqet të bëjë bashkë me “ata sufllaqexhinjtë e tij”. Ai i kërkoi që, nëse ka diçka serioze, ta çojë në gjykatë ose të dërgojë inspektorët e tyre. Në vijim, deputeti i “Lëvizja Bashkë” deklaroi se jo vetëm që nuk e merr seriozisht Bidon, por se ai i kujton komeditë e viteve ’90 dhe figurën e Cekës, për ta mbyllur me thirrjen që të vazhdojë “fushatën kundërzbulimit”.
