Të paktën 10 persona humbën jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur, pasi kryeqyteti i Ukrainës u godit në orët e para të mëngjesit nga një valë raketash dhe dronësh rusë, që shkaktuan edhe dëme të rënda dhe zjarre të shumta. Sulmi erdhi pasi Presidenti Volodymyr Zelensky kishte paralajmëruar se po përgatitej një goditje “në shkallë të gjerë”.
Një ditë më parë, Zelensky deklaroi nga Dublini, ku ndodhej për vizitë, se do të kthehej menjëherë në Kiev, pasi kishte marrë të dhëna për përgatitjet e një sulmi të ri nga Rusia.
Të lidhura
None found
“Ne e dimë që Putin ka kohë që po përgatit këtë goditje masive kundër Ukrainës”, tha ai gjatë një konference për shtyp në kryeqytetin irlandez, duke u bërë thirrje ukrainasve që të “dyfishojnë” vigjilencën dhe të “mbrojnë veten”.
Sipas komandantit ushtarak të rajonit të Kievit, Mykola Kalashnik, “Gjatë natës, armiku nisi një sulm të ri masiv në rajonin e Kievit duke përdorur dronë sulmi, raketa balistike dhe raketa lundrimi”, ndërsa saktësoi përmes Telegramit se pesë sektorë të rajonit ishin goditur.
Gazetarët e AFP thanë se për disa orë me radhë u dëgjua një varg shpërthimesh.
Në qendër të kryeqytetit, tymi u pa të ngrihej pas një shpërthimi dhe, sipas një gazetari në vendngjarje, ndërtesat ishin përfshirë nga flakët. Në vend mbërritën me shpejtësi zjarrfikëset dhe ambulancat. Rreth pesëmbëdhjetë minuta pas shpërthimit të parë, një tjetër shpërthim u dëgjua, duke përhapur gërmadha në të gjitha anët.
Banorët dolën në rrugë dhe iu drejtuan strehimoreve, ndërsa disa prej tyre mbanin edhe dyshekë.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, bëri të ditur se një nga shpërthimet dëmtoi një ndërtesë në qendër të qytetit ku ndodhet një strukturë ambulancash.
“Pesë paramedikë u plagosën në lagjen Shevchenkivskyi, njëri prej të cilëve, një anëtar i një ekuipazhi ambulance, është në gjendje kritike”, tha ai.
Klitschko shtoi gjithashtu se “Çatia e një ndërtese shumëkatëshe është në flakë në një lagje tjetër, ndërsa njerëzit mbetën të bllokuar kur një ndërtesë apartamentesh nëntëkatëshe u shemb”.
