Bashkimi Evropian ka filluar të zbatojë një tarifë prej 3 eurosh për importet e tregtisë elektronike me vlerë të ulët që futen në bllok nga vende jashtë BE-së, kryesisht nga Kina, raportoi Reuters. Kjo masë prek drejtpërdrejt platformat e njohura të shitjeve online si Shein, Temu dhe AliExpress, të cilat e kanë ndërtuar modelin e biznesit mbi dërgesa me kosto shumë të ulët.
Tarifa, e cila hyri në fuqi këtë të mërkurë, do të vendoset për çdo klasifikim doganor brenda së njëjtës dërgesë. Kjo nënkupton se një pako që përmban tre kategori të ndryshme produktesh do të ketë një tarifë totale prej 9 eurosh, ndërsa një dërgesë me disa artikuj të së njëjtës kategori do të paguajë 3 euro.
Të lidhura
None found
Ky vendim përbën hapin e parë të Bashkimit Evropian për të frenuar atë që e cilëson si konkurrencë të pandershme nga platformat e tregtisë elektronike. Përjashtimi nga detyrimet doganore për pakot me vlerë deri në 150 euro ishte në fuqi që nga viti 2008, por shtimi i fortë i numrit të dërgesave ka rritur shqetësimet për humbjen e të ardhurave doganore dhe për hyrjen në treg të produkteve që nuk respektojnë standardet europiane.
Sipas të dhënave të BE-së, numri i pakove që hynë në bllok përmes këtij përjashtimi u rrit nga 1.4 miliardë në vitin 2022 në 5.8 miliardë gjatë vitit 2025.
Dirk Gotink, ligjvënësi europian që drejton reformën doganore në Parlamentin Europian, deklaroi se ky sistem ishte keqpërdorur gjerësisht.
“Në një botë tjetër tregtare kjo kishte kuptim, por ajo botë nuk ekziston më. Përjashtimi është abuzuar në një shkallë industriale dhe ka krijuar një avantazh të padrejtë konkurrues në dëm të bizneseve europiane”, u shpreh ai.
Ekspertët e tregtisë vlerësojnë se tarifat e reja do të sjellin një ulje nga 10% deri në 35% të dërgesave ajrore të tregtisë elektronike drejt Bashkimit Evropian në javët e para të zbatimit.
Ndërkohë, Shein ka filluar të përshtatet me kuadrin e ri duke rritur kapacitetet e magazinimit në Poloni dhe duke dërguar më shumë mallra drejt BE-së në sasi të mëdha. AliExpress ka bërë të ditur se blerësit do të njoftohen për tarifat e importit përpara se të mbyllin porosinë, ndërsa Amazon tha se 97% e dërgesave të saj në Bashkimin Evropian kryhen nga magazina që ndodhen brenda bllokut.
Pagesa prej 3 eurosh konsiderohet një zgjidhje e përkohshme dhe pritet të zëvendësohet nga një sistem i ri tarifash sipas kategorive të produkteve, i cili do të hyjë në fuqi më 1 korrik 2028, kur të nisë funksionimin Autoriteti i ri Doganor i Bashkimit Evropian.
