Sipas VLEN-it, për një periudhë të gjatë komunat shqiptare mbetën jashtë fokusit të investimeve, ndërsa nismat zhvillimore, siç thonë ata, kushtëzoheshin nga interesa partiake dhe jo nga kërkesat reale të qytetarëve.
Të lidhura
None found
Në një njoftim për media, ata vlerësojnë se angazhimi i tyre në Qeveri ka sjellë ndryshime konkrete, duke theksuar se 306 projekte janë duke e ndryshuar pamjen e komunave shqiptare.
“Ky nuk është vetëm një numër. Është dëshmi se fondet publike po orientohen aty ku ka nevojë për zhvillim dhe jo aty ku diktojnë interesat politike. Vetëm gjatë ditëve të fundit, katër komuna të udhëhequra nga VLEN sollën katër investime të rëndësishme infrastrukturore. Në Tetovë u promovua rruga ‘Sami Frashëri’, në Zhelinë u përfundua rruga Dëbërcë–Çiflik pas më shumë se tre dekadash pritje, në Bogovinë nisën punimet për rrugën Rakovec–Bogovinë, ndërsa në Dibër vazhdojnë investimet me rrugën ‘Fuad Dibra’”, thuhet në reagimin e tyre.
Më tej, nga VLEN theksojnë se këto investime janë tregues se me përgjegjësi, vullnet politik dhe bashkëpunim institucional, projektet nuk mbeten vetëm në letër, por kthehen në punë konkrete që përshpejtojnë zhvillimin lokal dhe përmirësojnë kushtet për jetën dhe ekonominë.
“Iku koha e deklaratave boshe politike, VLEN krijoi një standard të ri. Ne tani matemi me kilometrat e rrugëve të ndërtuara, me projektet që nisin dhe përfundojnë, me investimet që prej vitesh ishin bllokuar e që sot po realizohen njëri pas tjetrit”, thonë nga VLEN.

