Uruguai e mbylli në mënyrë zhgënjyese aventurën e tij në Kupën e Botës 2026, pasi u ndal që në fazën e grupeve pas humbjes 1-0 ndaj Spanjës në sfidën vendimtare.
Të lidhura
None found
Takimi u vendos nga Alex Baena, autor i golit të vetëm që i siguroi Spanjës triumfin dhe njëherazi konfirmoi eliminimin e skuadrës së drejtuar nga Marcelo Bielsa.
Ky largim i parakohshëm ka sjellë reagime të shumta në Uruguai dhe ka shtuar ndjeshëm presionin mbi trajnerin argjentinas. Prej kohësh është folur për marrëdhënie jo të thjeshta mes tij dhe disa lojtarëve të ekipit, ndërsa tani e ardhmja e tij është vënë seriozisht në diskutim.
Sipas ESPN, menjëherë pas eliminimit Bielsa u foli futbollistëve në dhomat e zhveshjes, me një mesazh të fortë që thuhet se ishte i drejtuar kryesisht ndaj elementëve më me eksperiencë të skuadrës.
“Po largohem nga kjo Kupë Bote i trishtuar sepse më keni braktisur”, mësohet të ketë thënë ai, duke lënë të kuptohet zhgënjimi i madh për situatën e krijuar brenda grupit.
Episodi vjen në një moment shumë delikat për Bielsan, teksa e ardhmja e tij në pankinën e Uruguait mbetet krejtësisht e paqartë.
Vetë tekniku ka ushqyer edhe më tej aludimet për një largim të mundshëm me atë që deklaroi në konferencën për shtyp pas eliminimit.
“Si do të kujtohet periudha ime këtu? Si një periudhë që nuk solli asgjë”, u shpreh Bielsa.
Marrëveshja e Bieslas ishte parashikuar të mbyllej pas Kupës së Botës dhe tani mbetet për t’u parë nëse Federata Uruguaiane do të kërkojë vazhdimin e bashkëpunimit apo nëse palët do të ndajnë rrugët pas këtij dështimi të madh.

