Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot, më 30 qershor 2026, në orën 10:00, seancën e radhës plenare, sipas kalendarit të punimeve të parashikuar për periudhën 15 qershor – 3 korrik 2026.
Në përputhje me urdhrin nr. 40, datë 26.6.2026, të Kryetarit të Kuvendit, z. Niko Peleshi, mbledhja do të çelet me miratimin e procesverbalit të seancës plenare të datës 18.6.2026, bazuar në nenin 44, pika 2, të Rregullores së Kuvendit, dhe më pas do të vijojë me njoftimet, sipas nenit 44, pika 3.
Të lidhura
None found
Në rendin e ditës është përfshirë projektligji “Për kontrollet zyrtare dhe aktivitete të tjera zyrtare, të kryera për të garantuar zbatimin e legjislacionit për ushqimin dhe ushqimin për kafshë, të rregullimeve për shëndetin e mirëqenien e kafshëve, si dhe për shëndetin e bimëve e të produkteve për mbrojtjen e bimëve në Republikën e Shqipërisë”. Ky projektligj shqyrtohet në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, si dhe neneve 55, 73-77 të Rregullores së Kuvendit dhe kërkon shumicë të thjeshtë votash për miratim. Parashikohen pyetje, fjala e nismëtarit, qëndrimi i Komisionit përgjegjës për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, si edhe mendimet e Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike dhe të Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, përpara diskutimeve të grupeve parlamentare dhe votimit.
Deputetët do të shqyrtojnë dhe do të hedhin në votim edhe tetë projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura dhe administratës publike për vitin 2025.
Këto projektrezoluta lidhen me veprimtarinë e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Departamentit të Administratës Publike, Autoritetit të Konkurrencës, Komisionit të Prokurimit Publik, Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, si edhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.
Për projektrezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2025”, mbështetja ligjore është ligji nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil” dhe neni 103 i Rregullores së Kuvendit. Për projektrezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2025”, baza ligjore është neni 31 i ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, si dhe neni 103 i Rregullores së Kuvendit.
Projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Departamentit të Administratës Publike për vitin 2025” mbështetet në nenin 32 të ligjit nr. 162/2020, “Për prokurimin publik”, dhe nenin 103 të Rregullores së Kuvendit. Ndërsa për “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2025”, referencë janë neni 24 i ligjit nr. 9121/2003, “Për Autoritetin e Konkurrencës”, dhe neni 103 i Rregullores së Kuvendit.
Edhe projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Komisionit të Prokurimit Publik për vitin 2025” mbështetet në nenin 32 të ligjit nr. 162/2020, “Për prokurimin publik”, dhe nenin 103 të Rregullores së Kuvendit. Për “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2025”, baza ligjore është neni 10 i ligjit nr. 45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, si dhe neni 103 i Rregullores së Kuvendit.
Sa i përket projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit për vitin 2025”, ajo mbështetet në nenin 11 të ligjit nr. 10242, datë 25.02.2010, “Për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri”, dhe nenin 103 të Rregullores së Kuvendit. Ndërsa projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2025” bazohet në ligjin nr. 53/14, datë 22.05.2014 “Për Sigurimin e Depozitave”, i ndryshuar, nenin 103 të Rregullores së Kuvendit dhe vendimin e Kuvendit të Shqipërisë nr. 134/2018, “Për miratimin e manualit të monitorimit vjetor dhe periodik”. Të gjitha këto projektrezoluta kërkojnë shumicë të thjeshtë votash për miratim.
Projektrezolutat do të prezantohen nga Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale. Debati për raportimet vjetore, sipas nenit 103, pika 8, të Rregullores së Kuvendit, nuk mund të zgjasë më shumë se 120 minuta dhe koha ndahet në mënyrë të barabartë mes shumicës dhe pakicës, duke marrë parasysh edhe deputetët jashtë grupeve parlamentare.
Minutazhi i përcaktuar për secilin debat është: Grupi parlamentar i Partisë Socialiste 71 minuta, Grupi parlamentar i Partisë Demokratike 30 minuta, Grupi parlamentar “Aleanca për Ndryshim” 6 minuta, Grupi parlamentar “Partia e Lirisë” 6 minuta dhe deputetët jashtë grupeve parlamentare 7 minuta.
Në përfundim të seancës janë parashikuar diskutime për çështje jashtë rendit të ditës, në mbështetje të nenit 45 të Rregullores së Kuvendit. Sipas këtij parashikimi, çdo deputet mund të flasë jo më shumë se 5 minuta, ndërsa kur diskuton në emër të grupit parlamentar jo më shumë se 8 minuta. Koha totale për këto diskutime nuk mund të jetë më shumë se 60 minuta.
Gjithashtu, është paralajmëruar edhe mbajtja e një proteste në të njëjtin orar me nisjen e seancës së Kuvendit.
