Në Mitrovicën e Jugut është zhvilluar sot mbledhja e nëntë e rregullt e Kuvendit Komunal, ku në rend dite kanë qenë tema të ndryshme që kanë të bëjnë me funksionimin e komunës dhe administrimin e buxhetit.
Në këtë seancë, kryetari i komunës, Faton Peci, u ndal edhe te raportimet e disa mediave lokale, të cilat i quajti “Fake News”, duke bërë të ditur se ndaj tyre do të ndjekë rrugën ligjore me padi për shpifje.
Të lidhura
None found
Sipas Pecit, publikime të tilla, që ai i konsideron të pavërteta, nuk do të kenë ndikim në shpërndarjen e mjeteve financiare nga komuna.
“E kam autorizuar kabinetin që ta kontaktojë një drejtoreshë, të cilën nuk e njoh dhe nuk kam dëshirë ta njoh, e cila ka lansuar një lajm të rremë. Në të kundërtën, ajo do të përballet me padi për shpifje. Fake News-et e portaleve, sot në mbledhjen e kam ngritur si shqetësim. Fake News-et e mediumeve lokale do t’i kundërvihemi, që do të thotë me padi për shpifje. Kjo do të thotë që mjete financiare të mos presin prej meje, do të thotë zero e kanë pasur në fushatë, nuk kanë lënë gjë pa thënë, dhe zero do ta kenë edhe për katër vite. As mos e rritni pritshmërinë, mos prisni që të keni buxhet, i cili është i qytetarëve të Mitrovicës që ka gjendje jo të mirë ekonomike dhe sociale. Çdo ditë ka 20, 50 apo 500 lajme, madje mua nuk më rrihet pa më sharë ndonjë medium që janë të ashtuquajtura mediume në Mitrovicë. Kështu që ju inkurajoj ta përmbushni normën që ka qenë edhe në kohën e fushatës, 50 shkrime kundër meje, sepse nuk po ju rrihet pa më sharë. Lajmeve të tilla të rreme do t’iu përgjigjemi. Unë e di që ekziston sistemi i policisë, siç është për shumë tema të tjera, por unë do t’iu përgjigjem. Megjithatë, mendoj se jetojmë në demokraci. Këto të ashtuquajtura mediume lokale e kanë lirinë të thonë çfarë të duan për ne. Edhe drejtoresha e shkollës e ka guximin dhe lirinë të dalë e të shpifë. Shpifja është pjesë e demokracisë, por pastaj duhet të sanksionohet me gjykatë. Kështu që po ka Fake News në baza ditore. Për shembull, dje ka pasur raportim për avullimin apo ikjen e diku afro 34 mijë eurove, që kjo është Fake News dhe një e pavërtetë e madhe. Kështu që nuk kemi çfarë të bëjmë, mund të na marrë edhe pak kohë vetëm të ulemi dhe ta shkruajmë pjesën e padisë për shpifje”, tha Peci.
Ai theksoi gjithashtu se për çdo lajm që e vlerëson si të rremë, reagimi i tij do të bëhet përmes mekanizmave ligjorë.
