Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ishte këtë të premte i ftuar në emisionin “Breaking” në Top News, në një intervistë me gazetarin Xhoi Malësia.
Gjatë bisedës, Spaho ritheksoi se është kundër protestës, një qëndrim që tha se e ka shprehur prej 1 muaji. Ai ngriti dyshime për interesat e personave që, sipas tij, qëndrojnë pas organizimit dhe drejtimit të këtij tubimi.
Të lidhura
None found
Sipas tij, në protestë është krijuar një konglomerat njerëzish me interesa të caktuara, të cilët, siç u shpreh ai, u nisën gjoja për Zvërnecin, por më pas përfunduan me kërkesa të grupeve të caktuara fetare, neomarksiste, vullnetarëve të Vetëvendosjes nga Prishtina dhe nga Maqedonia e Veriut, hoxhollarëve nga këto dy vende, Sorosistëve apo LGBTQI+.
Spaho deklaroi se këta janë mbledhur me synimin për të ndryshuar sistemin politik dhe shtoi se aty kanë ardhur edhe proletarë nga vende të tjera për të marrë pjesë. Ai tha se bëhet fjalë për pakicë, ndërsa shumica, sipas tij, janë gati 2 mln votues në Shqipëri, të cilët para 1 viti i dhanë 83 mandate Ramës. Megjithatë, ai pranoi se në protestë ka edhe qytetarë naivë.
Ish-deputeti theksoi se e ka thënë edhe më parë që Rama i ka bërë shumë të këqija vendit dhe se duhej të ishte larguar me kohë. Por, sipas Spahos, dëmi do të ishte shumë më i madh nëse ai do t’i nënshtrohej presionit të këtyre grupeve, për të cilat tha se nuk dihet kush janë dhe çfarë programi kanë.
Ai u shpreh se protesta ka lidership, por ky lidership ka frikë të dalë hapur. Sipas Spahos, organizatorët janë “gjithë karrigethyerit e PS”: ministra, drejtorë doganash dhe tatimesh, të cilëve, siç tha ai, koha ua theu karrigen dhe dolën të dështuar. Këta, sipas tij, veprojnë bashkë me grupet që ai përmendi më lart, të cilat kanë interesat e tyre.
Në vijim, Spaho deklaroi se synimi i tyre është të marrin PS, të zgjedhin një kryeministër të ri dhe të vazhdojë historia e revolucionit. Ai theksoi se Rama duhet të vazhdojë për hir të integrimit në BE, duke nënvizuar se vendi ka një vit përpara për të mbyllur kapitujt. Sipas tij, nëse ky vit shpenzohet për “qeverinë e 500 petritave” dhe për t’u marrë me “mustaqet e Çelos”, atëherë integrimi në BE merr fund një herë e mirë.
