Donald Trump, presidenti i SHBA-së, ka hedhur akuza të forta ndaj Janice Louise George, kandidates demokrate për drejtimin e Bashkisë së Uashingtonit, duke e etiketuar si “komuniste” dhe duke thënë se nuk do të pranojë, sipas tij, “shkatërrimin” e kryeqytetit amerikan.
Në një reagim të publikuar në Truth Social, Trump pretendoi se George, e cila shihet si favoritja për zgjedhjet vendore të nëntorit, është pro lirimit të të burgosurve, kundër agjencisë amerikane të emigracionit (ICE) dhe se mirëpret emigrantë të paligjshëm me precedentë penalë.
Të lidhura
None found
“Janice Louise George, komunistja që është pothuajse e sigurt se do të zgjidhet kryebashkiake e Uashingtonit, ka deklaruar se dëshiron të zbrazë burgjet, kundërshton ICE dhe mirëpret emigrantët e paligjshëm kriminelë në kryeqytetin tonë të dashur”, shkroi Trump.
Presidenti amerikan deklaroi më tej se nuk do të lejojë që Uashingtoni të udhëhiqet nga një person që, sipas tij, nuk synon ta kthejë qytetin në “madhështinë” e vet.
“Shumë njerëz, përfshirë edhe mua, kanë punuar gjatë dhe shumë. Ne nuk do të lejojmë që qyteti të shkatërrohet nga një komunist që nuk ka ndërmend ta rikthejë Uashingtonin në madhështinë e tij”, u shpreh presidenti amerikan.
Janice Louise George, e cila i përket krahut progresist të Partisë Demokratike dhe është pjesë e organizatës Socialistët Demokratë të Amerikës (DSA), doli fituese në zgjedhjet paraprake të demokratëve në mesin e muajit qershor. Ajo konsiderohet favoritja për votimet e nëntorit, pasi demokratët tradicionalisht kanë mbështetje të fortë në Uashington.
Që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka kërcënuar në disa raste se do ta kalojë Uashingtonin nën kontroll federal, me arsyetimin se drejtimi i qytetit ka dështuar të garantojë rendin dhe sigurinë.
Paralelisht, ai ka nxitur një sërë nismash zhvillimore për kryeqytetin, përfshirë restaurimin e 73 statujave, monumenteve dhe shatërvanëve, rikonstruksionin e fushës së golfit East Potomac Golf Links, si edhe restaurimin e rezervuarit pranë Memorialit të Linkolnit.
Megjithatë, këto projekte kanë sjellë edhe kritika për kostot e larta, mënyrën e dhënies së kontratave dhe natyrën e tyre, të cilën kundërshtarët e përshkruajnë më shumë si përpjekje për imazh sesa si investime prioritare për qytetin.
