Turistja australiane Amy Lecons, e pickuar nga një nepërkë në një zonë të thellë të Alpeve Shqiptare, ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore falë reagimit të menjëhershëm të ekipeve mjekësore, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Sipas ministrisë, sapo u mor njoftimi për ngjarjen, ekipet e Qendrës Shëndetësore Verore në Valbonë ndërhynë pa humbur kohë, duke i dhënë ndihmën e parë pacientes në terren dhe më pas duke organizuar transportin e saj drejt strukturave shëndetësore për trajtim të specializuar.
Të lidhura
None found
“Në zemër të Alpeve Shqiptare, edhe në zonat më të thella malore, strukturat tona shëndetësore mbeten në gatishmëri të plotë për të garantuar sigurinë dhe jetën e çdo turisti”, thuhet në njoftimin e MSHMS.
Ministria thekson se profesionalizmi, bashkërendimi dhe përkushtimi i personelit shëndetësor, së bashku me ndihmën e banorëve të zonës, bënë të mundur që turistja të merrte trajtimin e nevojshëm dhe tashmë të jetë jashtë rrezikut.
Edhe vetë Amy Lecons ka publikuar në rrjetet sociale një video të filmuar në çastet e vështira pas pickimit, ku tregon se si kërkoi ndihmë dhe si u zhvillua ndërhyrja.
“Jam pickuar nga një gjarpër. Kam qenë në kontakt me bujtinën dhe ata mund të më dëgjonin kur thërrisja për ndihmë. Nuk e kam parë gjarprin, por ndihem shumë e sëmurë”, shprehet ajo në videon e publikuar.
Në vijim të rrëfimit të saj, turistja bën me dije se pas trajtimit të marrë dhe kujdesit nga stafi mjekësor, është kthyer në bujtinë për të vijuar rikuperimin.
Rasti nxjerr në pah gatishmërinë e strukturave shëndetësore që veprojnë gjatë sezonit turistik në zonat malore të vendit, duke siguruar reagim të shpejtë edhe në emergjenca që ndodhin në terrene të vështira.
