Qytetarë dhe protestues janë mbledhur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në pritje të konferencës së përbashkët të Donika Gërvallës dhe Xhelal Sveçlës.
Konferenca e ministres së Drejtësisë dhe ministrit të Punëve të Brendshme është planifikuar të nisë në orën 09:00. Protestuesit kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Të lidhura
None found
Një ditë më herët, Zyra e Kryeministrit bëri të ditur se kishte marrë raportet e detajuara të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për mënyrën se si ishte trajtuar rasti i viktimës.
Në njoftim thuhet se dokumentet do t’i nënshtrohen analizës për të përcaktuar nëse ka pasur lëshime, neglizhencë, mosreagim apo përgjegjësi të mundshme nga institucionet.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, Gërvalla dhe Sveçla do të prezantojnë qëndrimet lidhur me këto raporte dhe hapat që do të ndërmerren më tej.
Ndërsa pritet nisja e konferencës, protestuesit vazhdojnë të qëndrojnë para objektit qeveritar, duke kërkuar që institucionet përgjegjëse për trajtimin e rastit të japin llogari.
Vrasja e Arlinda Zekajt ka shkaktuar protesta dhe reagime të shumta në Kosovë gjatë ditëve të fundit.




