Policia e Tetovës ka bërë të ditur se dy shoferë janë ndaluar pasi kanë lëvizur me automjete në drejtim të kundërt në autostradën Gostivar-Tetovë.
Të lidhura
None found
Rasti i parë është evidentuar dje rreth orës 11:30. Sipas SPB Tetovë, zyrtarët policorë të Stacionit Policor për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor në Tetovë ia kanë hequr lirinë V.M. (30) nga fsh. Bogovinë, pasi me automjetin transportues “Mercedes” me targa të Tetovës ka qarkulluar në kah të kundërt me drejtimin e lejuar të lëvizjes.
Një orë më pas, në orën 12:30, në rrugën Gostivar-Tetovë, te pikëpagesa rrugore e Tetovës, policia ka ndaluar edhe M.D. (55) nga fsh. Falish. Ai, sipas njoftimit, me automjetin transportues “Folksvagen” me targa të Tetovës, ka lëvizur gjithashtu në drejtim të kundërt nga ai i lejuar.
Të dy personat janë shoqëruar në stacionin policor, ndërsa pas dokumentimit të rasteve ndaj tyre do të ngrihen kallëzime.

