Kryetari i Gjykatës së Lartë ka njoftuar zyrtarisht hapjen e thirrjes për shprehje interesi për plotësimin e tre vendeve bosh në Këshillin e Lartë Gjyqësor, për shkak se më 12 dhjetor 2026 mbaron mandati pesëvjeçar i tre anëtarëve të këtij institucioni.
Tre pozicionet që do të zëvendësohen i takojnë përkatësisht një gjyqtari nga Gjykatat e Shkallës së Parë, një gjyqtari nga Gjykatat e Apelit dhe një gjyqtari nga Gjykata e Lartë.
Të lidhura
None found
Në njoftimin publik përcaktohet se gjyqtarët që duan të kandidojnë duhet të paraqesin kërkesën e tyre me shkrim pranë Kryetarit të Gjykatës së Lartë deri më 13 korrik 2026.
Së bashku me shprehjen e interesit, kandidatëve u kërkohet të dorëzojnë një paketë dokumentesh, ku përfshihen jetëshkrimi i përditësuar, deklaratat mbështetëse nga gjyqtarët, formulari i vetëdeklarimit dhe platforma personale me objektivat që synojnë të realizojnë si anëtarë të KLGJ-së. Po ashtu, ata duhet të paraqesin edhe deklarata për verifikimin e figurës, integritetin dhe mungesën e bashkëpunimit me ish-shërbimet sekrete.
Kandidatët duhet gjithashtu të vënë në dispozicion të dhëna për të afërmit që ushtrojnë profesionin e avokatit ose mbajnë funksione drejtuese në subjekte të mëdha ekonomike, si edhe listën e personave të lidhur, në përputhje me legjislacionin për parandalimin e konfliktit të interesit.
