Dy tërmete të forta që goditën Venezuelën të mërkurën kanë shkaktuar deri tani më shumë se 920 viktima, ndërsa rreth 3,360 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Shumë njerëz rezultojnë ende të zhdukur, sipas autoriteteve, teksa ekipet e shpëtimit po vazhdojnë pa ndërprerje kërkimet për persona që mund të jenë gjallë nën rrënoja.
Të lidhura
None found
Më e goditura nga kjo katastrofë është zona e La Guaira, në veri të Karakasit. Në këtë rajon janë shembur ose janë dëmtuar rëndë dhjetëra godina, mes tyre spitale, qendra tregtare dhe struktura të tjera të infrastrukturës. Po ashtu, aty ndodhen edhe Aeroporti Ndërkombëtar Simón Bolívar si dhe një prej porteve kryesore të vendit.
Kryetari i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodríguez, bëri të ditur se të paktën 172 persona mendohet se ndodhen ende nën rrënoja. Vetëm në La Guaira, ndërkohë, janë nxjerrë të gjallë 243 persona. Presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez, tha se dhjetëra qytetarë janë shpëtuar të gjallë dhe se deri më tani janë regjistruar 214 lëkundje pasuese.
Tërmetet ndodhën me vetëm pak sekonda distancë nga njëri-tjetri. I dyti, me magnitudë 7.5 ballë, konsiderohet si një nga më të fuqishmit që ka goditur Venezuelën në më shumë se një shekull.
Numri i madh i të plagosurve ka vënë nën presion të jashtëzakonshëm sistemin shëndetësor. Mjekët po japin ndihmë në qendra të ngritura në mënyrë të improvizuar, ndërsa spitalet që vazhdojnë të funksionojnë janë tejmbushur dhe po përballen me mungesë barnash dhe pajisjesh.
“Të gjitha spitalet tona kanë mungesë furnizimesh dhe ilaçesh. Edhe në kushte normale ishte e vështirë të trajtonim pacientët, ndërsa tani situata është shumë më e rëndë”, tha mjeku Pedro Javier Fernandez.
Ndërkohë, familjarët po presin me ankth informacione për të afërmit e tyre. Natacha Diaz, banore e La Guaira, tregoi se dy vajzat e saj, 22 dhe 23 vjeç, mbetën nën rrënojat e një qendre tregtare ku ishin në punë.
“Unë thjesht dua që ato të gjenden. Kam shpresë se janë ende gjallë. Janë gjithçka që kam”, u shpreh ajo.
Puna e ekipeve të shpëtimit është bërë edhe më e vështirë për shkak të dëmtimeve në rrugë, problemeve në komunikim dhe mungesës së pajisjeve. Në disa raste, kërkimet për të mbijetuar po kryhen me duar të zhveshura.
Në Venezuelë ka nisur të mbërrijë edhe ndihma nga jashtë. Në operacionet emergjente janë përfshirë ekipe kërkim-shpëtimi nga Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Holanda, Meksika dhe Zvicra. Nga ana tjetër, SHBA ka bërë të ditur se do të dërgojë anije, avionë transportues dhe një paketë ndihme prej 150 milionë dollarësh për të përballuar pasojat e katastrofës.
